E Martë, 3 Nëntor 2026

MEPJ riatdheson të riun shqiptar, i rrezikuar në Sierra Leone

TIRANË, 27 mars /ATSH/ Pas disa ditësh përpjekjesh intensive, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) ka arritur të realizojë me sukses riatdhesimin e një të riu shqiptar, i cili ndodhej në rrezik në Sierra Leone.

Kërkesa për ndihmë erdhi nga e ëma e 19-vjeçarit, F. T., disa ditë më parë, dhe MEPJ e mori menjëherë nën shqyrtim situatën. Nëpërmjet kanaleve diplomatike dhe me mbështetje të koordinuar me autoritetet vendase dhe partnerët ndërkombëtarë, u mundësua një reagim i shpejtë dhe i efektshëm.

Me përpjekjet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Brendshme, operacioni u përmbyll me sukses brenda një periudhe të shkurtër, duke bërë të mundur që i riu të kthehej i sigurt dhe i shëndetshëm pranë familjes.

MEPJ shpreh “falënderimet për të gjithë autoritetet që morën pjesë në këtë operacion dhe siguron se do të vazhdojë të ofrojë mbështetje të palodhur për shtetasit shqiptarë, kudo që ndodhen”.

Edhe ëma e 19-vjeçarit falënderoi autoritetet, MPEJ, Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, që i sollën djalin shëndosh e mirë.

“Falënderoj Ministrinë e Jashtme, që mundësoi ardhjen e djalit tim. Kaluan një javë sakrificash me gatishmëri. Unë si nënë jam shumë e lumtur që takova djalin tim pas kaq kohësh, pas 5 muajsh. Falënderoj si nënë Policinë e Shtetit dhe veçanërisht ministrin, që më ndihmuan dhe më sollën djalin shëndosh e mirë nga Afrika”, u shpreh ajo.

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›