METE: Ka përfunduar afati ligjor për Vetro Energy, por do e presim
Në një prononcim për mediat në lidhje me ecurinë e procesit të privatizimit të Albpetrol sha., Zv. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës z. Sokol Dervishaj deklaroi se kompania Vetro Energy, e cila u rendit e para në tenderin e zhvilluar më datë 7 shtator dhe fitoi të drejtën e negocimit të Kontratës së Shitjes së Aksioneve, nuk arriti të nënshkruajë KSHA-në brenda datës 3 dhjetor, afati i fundit ligjor, si dhe nuk depozitoi garancinë e kontratës prej 20% të vlerës së ofertës.
Zv. Ministri Sokol Dervishaj deklaroi se pas skadimit të afatit të fundit ligjor, Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës i lind e drejta të kërkojë ekzekutimin e procedurës së tërheqjes së garancisë së ofertës prej 10 %.
Zv. Ministri Sokol Dervishaj iu përgjigj interesit dhe pyetjes së gazetarëve duke sqaruar se nëse Vetro Energy do të depozitojë në ditët në vijim garancinë e kontratës, METE do të tregojë fleksibilitet për të vlerësuar rifillimin e negociatave, duke pasur në vëmendje rëndësinë e veçantë të këtij privatizimi.
