E Enjte, 5 Nëntor 2026

METEO – Të paktën 20 të vdekur nga uragani “Helene” në juglindje të SHBA-së

UASHINGTON, 27 shtator /ATSH-DPA/ – Të paktën 20 persona humbën jetën pasi urganani “Helene” përfshiu pjesën juglindore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si stuhi e fuqishme e kategorisë 4, para se të dobësohej në orët e pasdites së sotme.

Mediat amerikane njoftuan se vdekjet kanë ndodhur në shtetet e Xhorxhias, Karolinës së Veriut, Karolinës së Jugut dhe Floridas. Guvernatori i Xhorxhias tha se të paktën 11 persona kishin vdekur në shtetin e tij.

Rreth 3 milionë njerëz kanë mbetur pa energji elektrike në shtetet e prekura dhe më gjerë, ku shumë shtëpi janë shkatërruar dhe komunitete të tëra janë përmbytur.

Ekziston frika se shumë njerëz mund të kenë mbetur të bllokuar nën ndërtesa të shembura dhe të dëmtuara. Shumë rrugë në të gjithë rajonin ishin të pakalueshme.

Shërbimi Kombëtar i Parashikimit të Motit tha që “Helene” mbërriti në bregun perëndimor të Floridës si uragan i kategorisë 4, kategoria e dytë më e lartë, por më pas filloi të humbiste fuqinë.

Shërbimi kishte paralajmëruar për “përmbytje historike dhe katastrofike” dhe, në vende të caktuara, thellësia e ujit sot ishte rreth pesë metra. Ekziston gjithashtu rreziku për rrëshqitje të tokës si pasojë e reshjeve ekstreme të shiut.

Shumë prej viktimave humbën jetën apo u plagosën nga rrëzimi i pemëve, ndërsa të tjerë kanë vdekur në makinat e tyre. Televizioni CNN njoftoi se një grua në Florida u mbyt në ujin që depërtoi në shtëpinë e saj.

Uragani “Helene” kishte shkaktuar më herët përmbytje dhe ndërprerje të energjisë në Kubë ndërsa zhvendosej drejt SHBA-së.

/u.sh/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›