METEO – Vala e të nxehtit godet Gjermaninë, temperaturat arrijnë në 39 gradë Celsius

FRANKFURT, 29 korrik /ATSH-DPA/- Temperaturat në disa zona të Gjermanisë pritet të arrijnë nesër deri në 39 gradë Celsius, ndërsa vala e të nxehtit vijon të përfshijë Evropën.
Sipas Shërbimit Gjerman të Motit (DWD), sot ishte dita më e nxehtë e kësaj vale të të nxehtit.
Temperaturat pritet të variojnë nga 26 deri në 31 gradë Celsius në zonat bregdetare, ndërsa në pjesën më të madhe të vendit parashikohen nga 32 deri në 39 gradë Celsius.
Parashikohet gjithashtu rrezik për erëra me forcë uragani, ndërsa në veri të Gjermanisë priten stuhi të fuqishme me bubullima.
“Me këto shpejtësi të erës, pemët mund të shkulen nga rrënjët dhe objekte të mëdha mund të ngrihen në ajër”, paralajmëroi meteorologu, Nico Bauer.
DWD parashikon një ndryshim të ndjeshëm të motit të premten. Juglindja e Gjermanisë do të vijojë të përballet me temperatura të larta, ndërsa zonat nga Deti Baltik deri në lumin Rin i Poshtëm pritet të kenë ulje temperaturash deri në rreth 25 gradë Celsius.
Reshje shiu dhe stuhi janë parashikuar në një brez që shtrihet nga jugperëndimi drejt verilindjes së vendit. Fundjava pritet të nisë me temperatura më të freskëta. //a.i/