MIK Festival ul siparin në Korçë

MIK Festival ka ulur siparin në qytetin e Korçës. Festivali i Muzikës Ndërkombëtare, i cili bëri bashkë artistë shqiptarë e të huaj që interpretojnë muzikë të kultivuar, me 6 koncerte të ndryshme plotësoi afreskun e bukur të artit botëror duke sjellë javën e kaluar një atmosferë feste në qytetin e Korçës.
Mbrëmja e fundit e festivalit është përmbyllur me interpretimin e tenorit të suksesshëm në Rumani, korçarit Gjergji Mani dhe bashkëshortes së tij, Ionela, e cila këndoi në gjuhën shqipe.
Në skenat e Rumanisë, Mani ka interpretuar gjerësisht duke mishëruar veprat kryesore të repertorit botëror ndërsa ka dhënë një kontribut të shquar në fushën e kërkimit dhe studimit të muzikës lirike shqiptare dhe muzikës së lehtë patriotike korçare. Pjesë të tyre u interpretuan edhe në MIK Festival.
Orkestra frymore e Forcave të Armatosura nën drejtimin e maestros Elda Laro ka shoqëruar performancën e artistëve ndërsa fragmente muzikore janë interpretuar nga klarinetisti Igli Tuga.
Nata e fundit e MIK Festival është sjellë edhe në një skenë tjetër, tek sheshi i kishës së Ristozit në fshatin Mborje.
Në këtë ambient ku u ndal për herë të parë MIK Festival, u ndërthur shpirti, muzika e gastronomia, e servirur nga shef Bler Dervishi.
Përveç edukimit me muzikë të bukur, një ndërthurje e muzikës klasike me zhanre të tjera të muzikës, që shtojnë ngjyrat dhe përfshijnë çdo shije e moshë, MIK Festival ka për qëllim edhe promovimin e muzikës së kultivuar.
Gazetar Norel Zaimi
/ rtsh /