E Diel, 1 Nëntor 2026

MM: 12 vatra zjarri në vend, 4 aktive

TIRANË, 29 gusht/ATSH/ Dymbëdhjetë vatra zjarri janë raportuar në territorin e vendit, nga të cilat katër mbeten aktive dhe tre janë nën mbikëqyrje, sipas përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes për situatën e zjarreve, të orës 14:00 të 29 gushtit.

Sipas MM, për përballimin e situatës janë angazhuar në total 214 forca operacionale, 6 automjete zjarrfikëse, 75 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 3 helikopterë.

Situata më problematike paraqitet në Dajt, në drejtim të Qafë-Priskës përballë Farkës, ku janë evidentuar riaktivizime dhe zgjerim të zjarrit. Në terren operojnë 25 forca zjarrfikëse dhe të AZM-së, 20 efektivë të FA-së, ndërsa janë aktivizuar edhe 2 helikopterë.

Në Vajkal, Bulqizë, janë përqendruar forcat; operacioni mbështetet nga 1 helikopter dhe 30 efektivë të FA-së, krahas MZSH-së, forcave pyjore dhe vullnetarëve.

Aktive mbeten gjithashtu vatrat në Qafë të Helmës, e cila monitorohet pa zhvillime dhe pa rrezik për zonat e banuara, si dhe në Sllatinë të Dibrës, ku janë angazhuar 78 forca të MZSH-së, pyjores, ADZM-së, bashkisë dhe vullnetarëve.

Vatrat në Komsi, malin e Dardhës dhe malin e Qukësit janë të izoluara ose nën mbikëqyrje, pa rrezik për zonat e banuara, ndërsa zjarri i raportuar në Delisuf, Vlorë, është shuar plotësisht pasi përfshiu rreth 2 ha me shkurre, njofton MM.

/e.xh/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›