E Enjte, 5 Nëntor 2026

MM: Shuhen 22 vatra zjarri në 24 orët e fundit

TIRANË, 29 korrik /ATSH/ 30 vatra zjarri janë raportuar në 24 orët e fundit, nga të cilat 22 janë shuar, pas një pune të pandërprerë të forcave operacionale, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile.

Ministria e Mbrojtjes informoi sot lidhur me situatën nga zjarret në vend.

MM bëri të ditur se, është shuar edhe vatra e zjarrit në fshatin Malecaj të bashkisë Lezhë për të cilën u angazhuan prej ditësh forcat e pushtetit vendor të mbështetura nga Forcat e Armatosura.

Por, thekson MM, vijojnë të jenë aktive ditën e sotme zjarret në vendgrumbullimin e mbetjeve të Bashkisë Vlorë, ku ditën e sotme situata paraqitet e përmirësuar.

Zjarri në fshatin Torovicë të bashkisë Lezhë, ditën e sotme vijon me intensitet të ulët, janë angazhuar për shuarjen e tij shërbimi zjarrfikës dhe struktura vullnetare.

Zjarri në fshatin Mal Shëngjin, ku ditën e djeshme është arritur vënia nën kontroll e tij, por si pasojë e erës së fortë është përkeqësuar sërish.

MM shton se, po vijojnë operacionin ditën e sotme strukturat vendore të mbështetura nga Forcat e Armatosura.

Gjithashtu, bëhet e ditur se, po punohet edhe për shuarjen e zjarrit në fshatin Zogaj, bashkia Tropojë dhe pjesërisht në bashkinë Has, ku janë angazhuar ditën e sotme strukturat vendore të dy bashkive të mbështetura nga Forcat e Armatosura.

Aktive janë vatrat në fshatin Hoten, bashkia Vau Dejes, në bashkinë Fushë Arrëz, në fshatin Xhathe, i cili dje mori përmasa të menjëhershme si pasojë e erës së fortë. Vijon edhe këtu operacioni i strukturave vendore, mbështetur nga efektivët e FA.

Në vatrën e zjarrit në fshatin Zavalinë, në Elbasan dje u bë e mundur shmangia e rrezikut të kalimit të zjarrit në kurorën e pishave edhe me angazhimin e FA. Po ashtu po punohet edhe në një tjetër vatër në bashkinë Maliq, fshati Lozhan-Bode.

MM përsërit thirrjen për banorët, që të raportojnë në kohë pranë strukturave vendore çdo vatër që konstatojnë, në mënyrë që të parandalohet përhapja  në sipërfaqe më të gjera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›