E Diel, 1 Nëntor 2026

MM: Situata nën kontroll, 227 forca dhe katër mjete ajrore të angazhuara për shuarjen e zjarreve

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes bën me dije se operacionet për menaxhimin e vatrave të zjarrit vijojnë në disa zona të vendit, me angazhimin e të paktën 227 forcave operacionale, 16 mjeteve zjarrfikëse e mbështetëse dhe 4 mjeteve ajrore, 3 helikopterë dhe 1 avion “Air Tractor”.

Në një përditësim të situatës rreth vatrave të zjarrit në gjithë vendin, MM deklaron se në qarkun Tiranë, në zonën e Dajtit, pranë fabrikës së ujit Selita, gjatë mesditës janë rishfaqur disa vatra zjarri, ku po vijon ndërhyrja dhe monitorimi. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

MM informon se në Cikallesh, Kavajë, vatra ka rënë ndjeshëm në intensitet dhe po shkon drejt shuarjes së plotë, pas ndërhyrjes së MZSH-së dhe mbështetjes ajrore të FA-së.

Në Priskë të Madhe vijon puna për vënien nën kontroll të disa vatrave të vogla.

Sipas MM në qarkun Fier, në zonën Panahor–Ndrenie–Vlosht, Mallakastër, zjarri është aktualisht nën kontroll. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Vatra në zonën Koilac–Greshicë është nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.

Në Abaze (Krujë), situata është stabilizuar dhe kanë mbetur vetëm disa vatra të vogla në terren të vështirë. Në terren vijojnë të punojnë strukturat e Emergjencave Civile, Bashkisë Krujë, MZSH-së, shërbimit pyjor dhe Prefekturës së Qarkut Durrës. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

MM njofton se në Vilëz (Kurbin), ku zjarri u riaktivizua në një sipërfaqe pyjore dhe për shkak të terrenit të vështirë dhe erës rrezikonte kishën, varrezat dhe disa banesa, janë angazhuar rreth 50 forca nga MZSH, Emergjencat Civile, Policia, strukturat vendore, shërbimi pyjor dhe vullnetarët. Ndërhyrja nga ajri me 2 helikopterë ka ndërprerë avancimin e zjarrit, duke shmangur prekjen e kishës, varrezave dhe banesave përreth. Vatra vijon të jetë aktive dhe po mbahet nën ndërhyrje.

Strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile vijojnë pa ndërprerje operacionet në terren dhe nga ajri për izolimin, kontrollin dhe shuarjen e plotë të vatrave aktive.

/e.i/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›