MOSKË – Bisedime Putin-Lukashenko mes tensioneve në luftën në Ukrainë

MOSKË, 26 qershor /ATSH/- Presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti i Bjellorusisë Alexander Lukashenko zhvilluan sot bisedime në Rusi, me fokus në luftën në Ukrainë, raportoi “Reuters”.
Takimi u mbajt në rezidencën “Valdai” në veriperëndim të Rusisë dhe përfshiu diskutime mbi bashkëpunimin ekonomik, projektet e përbashkëta dhe çështjet e sigurisë rajonale.
Bisedimet vijnë në një moment tensionesh në rritje, mes Bjellorusisë dhe Ukrainës.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se beson që Putin po përpiqet ta shtyjë Lukashenkon të rrisë mbështetjen për Rusinë në luftën kundër Ukrainës.
Si Moska ashtu edhe Minsku i kanë mohuar këto pretendime, duke akuzuar Ukrainën dhe Perëndimin për përshkallëzimin e situatës.
Lukashenko tha më herët se, kishte takuar përfaqësues të Zelensky dhe i kishte paralajmëruar që të mos përpiqen ta përfshijnë Bjellorusinë në luftë.
Putini dhe Lukashenko janë aleatë të ngushtë dhe takohen rregullisht.
Kremlini ka akuzuar Ukrainën se po kërcënon sovranitetin e Bjellorusisë, pasi Zelensky i kishte dhënë më herët një afat Minskut, për heqjen e disa stacioneve sinjalizuese, që sipas tij përdoren për sulme ruse.
Megjithatë, Lukashenko nuk ka dërguar trupa bjelloruse në luftë, por ka lejuar Rusinë të përdorë territorin e Bjellorusisë, si bazë për pushtimin e Ukrainës në vitin 2022 dhe më vonë, ka pranuar vendosjen e raketave taktike bërthamore ruse, në territorin bjellorus. //a.i/