MOSKË – Kremlini paralajmëron Perëndimin pasi Ukraina u lejua të godasë Rusinë me armë perëndimore

TIRANË, 31 maj /ATSH/- Rusia ka akuzuar NATO-n dhe SHBA-në për “provokim të një niveli të ri tensioni” pasi SHBA-ja dhe Gjermania u bënë aleatet e fundit që lejuan ushtrinë e Ukrainës të përdorte armët e furnizuara nga Perëndimi për të goditur objektivat brenda Rusisë, sipas BBC.
Një zëdhënës i Berlinit tha se Gjermania ishte e bindur se Ukraina kishte të drejtë të mbrohej nga Rusia, veçanërisht nga sulmet ndërkufitare në qytetin e saj të dytë më të madh, Kharkiv.
Zyrtarët amerikanë thanë se armët e furnizuara nga SHBA-ja mund të përdoren për t’iu kundërvënë zjarrit rus pranë rajonit të Kharkivit, ose aty ku forcat ruse “po i godisnin ose po përgatiteshin t’i godisnin”.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha se vendimi do të ndihmonte në mbrojtjen e civilëve që jetojnë në fshatrat afër kufirit rus.
“Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se vendet e NATO-s, veçanërisht SHBA-ja dhe disa vende evropiane, kishin hyrë në një raund të ri të përshkallëzimit të tensionit dhe se po e bënin këtë qëllimisht”, tha agjencia e lajmeve Tass.
“Ata po provokojnë Ukrainën, në të gjitha mënyrat e mundshme, të vazhdojë këtë luftë të pakuptimtë”, tha Peskov.
Forcat ruse kanë arritur përfitime në rajonin e Kharkivit javët e fundit pas një ofensive të befasishme afër kufirit me Rusinë.
Britania e Madhe dhe Franca kishin sinjalizuar më herët se ishin të hapura për lehtësimin e kufizimeve ndaj pajisjeve ushtarake të Ukrainës, përpara se presidenti amerikan Joe Biden të deklaronte dje në mbrëmje se armët e furnizuara nga SHBA-ja mund të përdoreshin kunder objektivave ruse.
“Politika jonë në lidhje me ndalimin e përdorimit të Sistemit Raketor Taktik të Ushtrisë (ATACMS) ose sulmeve me rreze të gjatë brenda Rusisë nuk ka ndryshuar”, tha një zyrtar amerikan.
Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit tha sot se Berlini ishte “i bashkëbindur” se Ukraina kishte të drejtë të mbrohej nga sulmi rus.
“Për ta bërë këtë, Ukraina gjithashtu mund të përdorë armët e furnizuara për këtë qëllim në përputhje me detyrimet e saj ligjore ndërkombëtare, duke përfshirë ato të furnizuara nga ne,” tha ai. //a.i/