E Enjte, 5 Nëntor 2026

MOSKË – Putini akuzon Ukrainën për tentativë për sulm bërthamor pa prova

MOSKË, 22 gusht /ATSH-DPA/- Presidenti rus Vladimir Putin akuzoi sot Ukrainën për përpjekje për një sulm ndaj centralit bërthamor në Kursk, pa dhënë prova.

Putini i bëri komentet gjatë një takimi në Moskë mbi situatën në rajonin kufitar Kursk, ku trupat ukrainase nisën një kundërofensivë rreth dy javë më parë.

“Armiku u përpoq të kryente goditje në centralin bërthamor sot”, tha Putin, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve TASS. Putin shtoi se Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) ishte informuar dhe po përgatit një mision në Kursk.

Centrali bërthamor në qytetin e Kurchatov është rreth 30 kilometra larg nga përparimi më i largët ukrainas.

Aktualisht është e paqartë nëse objekti është një objektiv specifik i operacioneve ukrainase. Megjithatë, masat e sigurisë në fabrikë janë rritur ndjeshëm.

Një zëdhënës i Rafael Grossi, drejtori i përgjithshëm i IAEA-s, ka konfirmuar një vizitë të planifikuar në centralin bërthamor të Kurskut, javën e ardhshme.

Gossi u citua në gazetën “Financial Times” të ketë thënë se centrali bërthamor është brenda rrezes së pozicioneve të artilerisë ukrainase, gjë që përbën “shqetësim të veçantë”.

“Pasi filloi avancimi i Ukrainës, IAEA paralajmëroi se siguria e centraleve bërthamore nuk duhet të rrezikohet. E njëjta gjë vlen për Kursk si për centralin bërthamor ukrainas të pushtuar nga Rusia në Zaporizhia”, tha ai. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›