E Hënë, 2 Nëntor 2026

MOSKË – Ukraina godet infrastrukturën ruse në një valë të re sulmesh me dronë

MOSKË, 2 gusht /ATSH-DPA/ – Ukraina ka ndërmarrë sërish gjatë natës sulme me dronë në rajone të ndryshme të Rusisë, duke shkaktuar shpërthime në impiante të përpunimit të naftës, sipas raporteve në rrjetet sociale.

Autoritetet në rajonet e prekura të Samarës, Penzës dhe Ryazanit konfirmuan sulmet me dronë dhe thanë se mbetje nga drone të rrëzuar kishin goditur zona industriale, megjithëse nuk u raportuan dëme ose të lënduar zyrtarisht.

Një video e publikuar në rrjetet sociale pretendohet të tregojë një shpërthim masiv në një impiant nafte pranë qytetit të Samarës, i cili ndodhet buzë lumit Vollga.

Për shkak të kërcënimit nga dronët, autoritetet në rajonin e Samarës pezulluan përkohësisht operacionet fluturuese në aeroportin lokal.

Në Ryazan, një tjetër impiant nafte raportohet se është goditur.

Guvernatori Pavel Malkov konfirmoi një sulm, por nuk dha më shumë detaje, duke u bërë thirrje qytetarëve të mos ndajnë imazhe që mund të ndihmojnë armikun.

Në rajonin e Penzës, thuhet se është goditur një fabrikë që prodhon komponentë për sistemet drejtuese të raketave.

Nuk pati konfirmim zyrtar nga autoritetet për këtë sulm.

Në Moskë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi sot  se më shumë se 100 dronë ukrainas ishin rrëzuar.

Si zakonisht, deklarata e ministrisë nuk përmendi viktima apo dëme materiale në rajonet e prekura.

Gjatë më shumë se tre vjetëve të pushtimit rus, zyrtarët ukrainas kanë deklaruar se sulmet e tyre me dronë synojnë të prishin logjistikën ushtarake të Rusisë pas vijës së frontit duke goditur depot e karburantit, magazinat e municioneve dhe infrastrukturën transportuese. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›