E Shtunë, 31 Tetor 2026

MPJ e Greqisë e neveritur për sulmet në Përmet e Gjirokastër!

Ministria e Jashtme greke, në një deklaratë të saj të dhënë sonte dënoi disa incidente të ndodhura në Shqipëri, pas ngjarjeve në Përmet. “Vetëm tre ditë pas ngjarjeve të papranueshme që ndodhën në Përmet, këtë mëngjes, në të njëjtin qytet, një sulm i dhunshëm mbi një shtetas grek dhe një minoritar, rezultuan me lëndimin e tyre.

Menjëherë pas këtyre incidenteve, persona të panjohur hodhën gurë në ndërtesën e Konsullatës së Përgjithshme të Greqisë në Gjirokastër, sulm i cili fatmirësisht nuk ka shkaktuar lëndime”, thuhet në njoftim që e transmeton BalkanWeb.

“Ne shprehim neverinë tonë dhe dënojnë dy sulmet, të cilat ngrenë pikëpyetje mbi gatishmërinë dhe dëshirën e autoriteteve shqiptare për të vendosur rendin dhe për të mbrojtur ndërtesat e autoriteteve diplomatike dhe konsullore greke. Presim arrestimin e menjëhershëm të autorëve të këtyre akteve dhe që autoritetet shqiptare t'i japin fund menjëherë kësaj situate të papranueshme, që ne shpresojmë se është krijuar në padijeni të Qeverisë Shqiptare”, vijon deklarata.

Në deklaratë bëhet e ditur se ambasadori i Shqipërisë në Athinë u thirr në Ministrinë e Jashtme greke lidhur me incidentet në fjalë, por në takim është paraqitur e ngarkuara me punë, Ermira Braho. Konfirmimi na vjen nga vetë ambasadori Dashnor Dervishi, teksa nuk bëhen të ditura detajet konkrete të bisedës në këtë takim. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›