E Shtunë, 31 Tetor 2026

MPJ sqaron debatin

Gazeta Shqip

U përdor gjuhë e ashpër ndaj Kosovës, ne në një linjë me BE-në

Ministria e Punëve të Jashtme ka bërë të ditur qëndrimin e saj në lidhje me përplasjet e ndodhura në Samitin e kryetarëve të shteteve/qeverive të vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore (SEECP). Samiti u parapri nga takimi i një dite më parë, i ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të kësaj nisme. Sipas njoftimit zyrtar, rendi i ditës parashikonte gjithashtu, miratimin e Deklaratës Politike të SEECP. Veçanërisht, gjatë Samitit, u konstatua ashpërsimi i gjuhës kundër Kosovës, si një shtet i pavarur, si dhe një qëndrim i prerë kundër përfaqësimit të saj në forumet rajonale. Politika e Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunimin rajonal ka qenë dhe mbetet e pandryshuar bazuar në parimet e respektit dhe gjithëpërfshirjes. Ne vlerësojmë se qëndrimi ynë është në përputhje me qëndrimin e vendeve të tjera të rajonit, afron më tepër vendet me njëri-tjetrin dhe bëjnë që bashkëpunimi dhe integrimi rajonal të afrojnë gjithë rajonin në Bashkimin Europian, thuhet në deklaratën për shtyp. MPJ bën të ditur se qëndrimi ynë ishte në një linjë me atë të disa delegacioneve të pranishme, përfshirë delegacionin e Komisionit Europian. Gjuha e përdorur në propozimin shqiptar përkon tërësisht me formulimet zyrtare të BE-së. Pala shqiptare tregoi gatishmëri, për të arritur në kompromis. Konsensusi u bë i pamundur. Shqipëria ka pasur dhe ka rol konstruktiv në rajon dhe shpreh keqardhjen që nuk u arrit deklarata finale në fund të samitit. Pala shqiptare, në të dyja takimet, është përfaqësuar nga zv.ministri Selim Belortaja. Gjatë gjithë procesit të negocimit të deklaratës, delegacioni shqiptar, insistoi në nevojën e zbatimit të plotë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel për dialogun Prishtinë-Beograd. Ne vlerësojmë se është detyrë e gjithsecilit të respektojë këto marrëveshje, thuhet në deklaratën e MJP-së.

MPJ sqaron debatin burimi: Gazeta Shqip

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›