Qeveria, këtë javë Berisha cakton ministrin e ri të Brendshëm
Kryeministri do ti drejtohet për herë të fundit Topit për shkarkimin e Nishanit
Fatjona Mejdini
Në fillim të javës tjetër, Kryeministri Sali Berisha pritet ti kërkojë Presidentit Bamir Topi dekretin zyrtar të shkarkimit të ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, si dhe emrin e ministrit të ri, të cilin do të vendosë në këtë ministri. Burimet brenda Partisë Demokratike, bëjnë të ditur se, pavarësisht zërave që kërkojnë ndryshime qeverie, kreu i kabinetit Sali Berisha nuk ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë. Ai duket se ka vendosur vetëm të bëjë një zëvendësim të postit të mbetur vakant dhe emërimin në të të një deputeti të grupit parlamentar të PD-së. Por fakti që Ministria e Brendshme është një superstrukturë e kabinetit qeveritar, ka bërë që kreu i qeverisë të marrë disa ditë kohë në lidhje me emrin që do të zëvendësojë Bujar Nishanin. Ministria e Brendshme ka një rëndësi të veçantë dhe strategjike për Partinë Demokratike, nisur nga fakti se ajo përfshin dikasteret qeveritare që marrin drejtpërdrejt pjesë në hartimin e listave të zgjedhësve dhe po kështu, Policinë e Shtetit, e cila ka rol kyç në performancën e qeverisë. Kjo ka qenë arsyeja që pavarësisht se PD ka qenë bujare me aleatët e saj me të cilët bashkëqeveris që prej vitit 2005, Ministrinë e Brendshme nuk ka preferuar ta lërë në drejtimin e përfaqësuesve të koalicionit. Nisur nga rëndësia e madhe që ka kjo ministri, kreu i qeverisë, Berisha, ka zgjedhur gjithmonë eksponentë të rëndësishëm të PD-së për drejtimin e saj. Kjo ministri ka pasur në drejtim figura të rëndësishme të demokratëve, si Sokol Olldashin, kryebashkiakun aktual të Tiranës, Lulzim Basha dhe për pjesën më të madhe të kohës është drejtuar nga Presidenti aktual i vendit, Bujar Nishani. Kreu i qeverisë duket se nuk do ti japë rëndësi të madhe edhe kësaj here, zërave brenda PD-së, të cilët kërkojnë ndryshime të mëdha brenda kabinetit, në një kohë kur vetëm një vit e ndan vendin nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kreu i qeverisë, Berisha, kryesisht pas vitit 2009, i ka qëndruar besnik parimit se qeveria nuk duhet të rikompozohet në mënyrë të vazhdueshme dhe duhet të jetë stabël për sa i përket drejtuesve të saj. Po të njëjtin qëndrim ai ka mbajtur me dikasteret të cilat i drejtojnë aleatët, duke e mbajtur ndarjen e ministrive pak a shumë të pandryshuar mes atyre që drejtohen nga aleatët dhe atyre që janë nën drejtimin e PD-së. Sipas Berishës, efektiviteti i ministrave të tij u tregua në zgjedhjet lokale të majit të vitit 2011, kur PD arriti të fitojë pjesën dërrmuese të njësive vendore në komuna, por pati dhe një rezultat të mirë të zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës. Por gjithsesi, në vjeshtë, nuk përjashtohet mundësia e ndonjë ndryshimi tjetër në qeveri, për shkak të afrimit të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, të cilat kanë rëndësi decizive për vetë PD-në.
Grupi i PD-së – Ministri i ri pritet të vijë nga radhët e grupit të PD-së dhe jo nga radhët e aleatëve, si LSI, PR apo PDIU
Kërkesat - Jo të paktë janë deputetët e shprehur pro nevojës së rifreskimit të kabinetit qeveritar Berisha
Qeveria, këtë javë Berisha cakton ministrin e ri të Brendshëm burimi: Gazeta Shqip