MSHMS: Mjekët dhe infermierët në shërbim të qytetarëve edhe gjatë orëve të natës

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Reshjet e dendura të shiut dhe përkeqësimi i motit, kanë vënë në gatishmëri strukturat shëndetësore në të gjithë vendin.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në një njoftim zyrtar bën me dije, se mjekët dhe infermierët kanë qenë gjatë orëve të natës në shërbim të qytetarëve, në zonat e prekura nga kushtet e vështira të motit.
Sipas MSHMS, strukturat shëndetësore në të gjithë vendin kanë marrë masat e nevojshme për të garantuar shërbim shëndetësor të pandërprerë dhe të sigurt për qytetarët.
MSHMS njofton se janë marrë të gjitha masat, si aktivizim i plotë i shërbimit të urgjencës, forcim i koordinimit operacional me OSHKSH-në, pushtetin vendor dhe strukturat e emergjencave, monitorim i situatës çdo 3 orë dhe kontroll i vazhdueshëm i infrastrukturës si dhe verifikim i rezervave kritike: medikamente, materiale mjekësore, ujë të pijshëm, karburant për gjeneratorë dhe pajisje emergjente.
Më tej, MSHMS cilëson se ekipet shëndetësore dhe strukturat e emergjencës në të gjithë vendin janë të angazhuar me përkushtim, profesionalizëm dhe gatishmëri 24/7, duke garantuar kujdes e mbështetje pa ndërprerje.
/e.i/r.e/