Situata nga moti i keq, informacion sipas qarqeve

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Reshjet e dendura të shiut dhe të dëborës, kanë përkeqësuar situatën e motit në rang vendi.
Agjencia për Media dhe Informim në një përditësim të kësaj situate, bëri me dije sot se në disa qarqe ka familje të evakuuara, toka bujqësore të përmbytura dhe problematika nga rëshqitjet e dherave.
Qarku Durrës
Referuar situatës së reshjeve të pritshme, është bërë edhe një shpërndarje e 37 trupave të forcave ushtarake. Janë shpërndarë 6 pompa me kapacitet të lartë, 2 pompa të vogla, 3 gomone dhe 4 mjete të tonazhit të rëndë.
Bashkia Durrës
Situata drejt përmirësimit dhe po vazhdon puna për heqjen e ujërave, veçanërisht te zona e burgut, ish-Kënetës. Shkozet dhe Nish Tullë, ku janë evidentuar 800 banesa të përmbytura. Në terren ndodhen ekipe te vlerësimit të dëmeve që po vazhdojnë evidentimin dhe dokumentimin e rasteve zonat përkatëse. 250 persona janë të strehuar në Shtëpinë e Pushimit te Ushtrisë Durrës dhe 55 persona janë strehuar në Konvalishencën e Ministrisë së Punëve të Brendshme Lumenjtë Erzen dhe Ishëm, si dhe kanali i Tones janë në kuota maksimale. Disa rrugë të qytetit mbeten të bllokuara, për shkak të pranisë së lartë të ujit.
Bashkia Krujë
Si pasojë e çarjes së argjinaturës së lumit Droje, ka vërshime uji në dy fshatrat Dukagjin i Ri dhe Miliska.
Në fshatin Miliska uji ka hyrë në banesa, ku janë prekur 50 familje. Në terren ndodhet bordi i Kullimit Durrës, për përballimin e situatës.
Bashkia Shijak
Ka prani uji në disa banesa. Gjendja paraqitet e rënduar veçanërisht në njësitë administrative Xhafzotaj, Maminas dhe Gjepalaj. 15 familje kanë prani uji në banesa.
Qarku Korçë
Bashkia Prrënjas
Ka rrëshqitje masivi dhe dherash në aksin Qafë Plloçë -Qukës, dhe është bllokuar rruga.
Bashkia Pustec
Përroi i fshatit Lajthizë, ka rritur nivelin e ujit. Po punohet me fadromë për mbajtjen e ujit brenda shtratit.
Bashkia Maliq
Ka sipërfaqe të përmbytura në toka bujqësore.
Bashkia Devoll
Qendra e fshatit Proger, është e pakalueshme për mjetet nga prezenca e ujit.
Bashkia Pogradec
Në segmentin rrugor të fshatit Dardhas, njësia administrative Dardhas, në afërsi të varrezave, është konstatuar rrëshqitje e trupit të rrugës. Aktualisht po punohet për krijimin e një bypass-i, me qëllim rivendosjen e përkohshme të kalueshmërisë në këtë aks rrugor, i cili lidh 5 fshatra të zonës. Lumi i Verdovës, në bashkinë Pogradec, ka prurje të shumta ujore, por deri në këto momente nuk paraqet rrezik për dalje nga shtrati.
Qarku Tiranë
Bashkia Rrogozhinë
Niveli i ujit në lumin Shkumbin nuk paraqet rrezik pasi është 1,5 metra nën shtratin e tij.
Bashkia Kavajë
Përroi i Leshniqes dhe Darcit nuk paraqesin rrezik pasi janë afërsisht nën 2.5 m nga shtrati i tyre.
Qarku Gjirokastër
Bashkia Gjirokastër
Aksi rrugor Tepelenë – Gjirokastër, në vendin e quajtur Shkalla e Zezë, është i kalueshëm në njërën anë, për shkak të rrëshqitjes së dherave. Autoritetet kontraktore ndodhen në terren. Niveli i lumit Vjosa në Memaliaj: 7.5 m. Niveli i Vjosës në Përmet: 5.0 m. Referuar situatës së reshjeve të pritshme, është bërë një shpërndarje e forcave ushtarake: 30 forca ushtarake, 3 automjete vetëshkarkuese, 2 pompa, dhe 1 gomone.
Qarku Lezhë
Bashkia Kurbin
Janë evakuuar në total 8 familje me rreth 37 banorë të fshatit Gjorm, njësia Mamurras. Dëmtim i rrugës Skuraj- Gallatë, si dhe dëmtimi i këmbëve të urës. Raportohen probleme në afërsi të rrugës Laç- Mamurras. Referuar situatës së reshjeve të pritshme, është bërë një shpërndarje e forcave ushtarake, nga dy mjete dhe një varkë do të jenë në dispozicion të bashkive Kurbin dhe Lezhë.
Bashkia Lezhë
U evakuuan një familje në fshatin ishullin Shëngjin, një familje në fshatin Kakariq. 100 banesa të rrethuara nga uji, kryesisht në njësitë administrative Dajç, Babullojë, Balldren dhe Shënkoll. Rrëshqitje dherash në fshatrat Torovicë dhe Tresh. Po punohet për mbylljen e çarjes së argjinaturës në lumin Droje, në fshatin Dukagjin.
Qarku Fier
Në zona të caktuara, lumi Vjosë ka dalë nga shtrati në tokat bujqësorë, ku ka përmbytur 200 hektarë tokë, në fshatrat Kashisht, Kafaraj- Cerven dhe Ferras. Ka prezencë të lartë uji në 27 banesa në Ferras dhe Cerven. Referuar situatës së reshjeve të pritshme, është bërë një shpërndarje e forcave ushtarake: 25 forca ushtarake, 4 motobarka dhe 3 pompa thithëse.
Qarku Dibër
Nuk paraqiten problematika deri tani.
Qarku Shkodër
Bashkia Shkodër
Rritje e nivelit të ujit, uji ka kaluar mbi rrugën kryesore të fshatit Obot, njësia administrative Ana e Malit. Qarkullimi është i mundur vetëm për mjete të kalueshmërisë së lartë. Në Dajç, kuota e lumit Buna është 6.24 m, nga 6.3 m që është pika maksimale. Lumi Drin (Bahçallëk), niveli 4.3 m. Referuar situatës së reshjeve të pritshme, është bërë një shpërndarje e forcave ushtarake: 30 efektivë të FA, 5 automjete të kalueshmërisë së lartë,3 varka shpëtimi, 2 pompa thithëse me kapacitet të lartë.
Bashkia Vau i Dejës
15 banesa janë të rrethuara nga uji në fshatrat Hoten dhe Mali i Jushit, njësia administrative Bushat.
Bashkia Malësi e Madhe
Rrugë e fshatit Kamicë e bllokuar dhe prezencë uji në disa fshatra.
Qarku Berat
Bashkia Berat
Ka dalje nga shtrati në fshatin Veterrik dhe Moravë, duke përmbytur toka bujqësore pranë shtratit të lumit, të mbjella me kultura dimërore dhe pemë frutore. Gjatë natës lumi Osum ka regjistruar nivele të ndryshme, në kuotën prej 4.04 m në Berat dhe 2.33 m në Çorovodë. Në lagjen 22 Tetori dhe Goricë, janë marrë masa për sigurimin e bizneseve dhe punohet për largimin e ujit nga pedonalja me pompa thithëse.
Bashkia Dimal
Ka prezencë uji në lagjen Dafinat dhe në Gur të Bardhë, ku janë përmbytur 7 banesa. Ka dalje të lumit nga shtrati në fshatin Çiflik ku janë përmbytur rreth 15 ha tokë bujqësore.
Qarku Kukës
Nuk paraqiten problematika deri tani.
/e.i/a.f/