MSHMS dhe Fshati SOS, memorandum mirëkuptimi për forcimin e kujdesit alternativ për fëmijët

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe SOS Fshatrat e Fëmijëve Shqipëri nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi, me synim forcimin e bashkëpunimit për zbatimin e politikave dhe strategjive kombëtare në mbështetje të procesit të deinstitucionalizimit të fëmijëve.
Sipas MSHMS-s, marrëveshja parashikon një angazhim të përbashkët për zhvillimin e fushatave të komunikimit që promovojnë kujdesin alternativ në familje, si dhe për rritjen e ndërgjegjësimit të profesionistëve, institucioneve dhe komunitetit mbi rëndësinë e garantimit të një mjedisi familjar të sigurt dhe mbështetës për çdo fëmijë.
Përmes këtij partneriteti institucional synohet fuqizimi i mekanizmave të mbrojtjes së fëmijëve dhe promovimi i modeleve të kujdesit alternativ, në përputhje me politikat kombëtare për mirëqenien e fëmijëve.
MSHMS thekson se çdo fëmijë ka të drejtën të rritet në një mjedis familjar, ku të marrë kujdes, mbrojtje dhe mundësi për zhvillimin e plotë të potencialit të tij, ndërsa bashkëpunimi mes institucioneve publike dhe organizatave të specializuara mbetet thelbësor për arritjen e këtij objektivi.
/e.i/j.p/r.e/