MTI inspekton reciprocitetin
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dje ka mbajtur takimin me temë “Mbikëqyrja e tregut pas vendosjes së parimit të reciprocitetit në marrëdhëniet tregtare me Republikën e Serbisë dhe Republikën e Bosnjës e Hercegovinës”, e cila u mbajt në ndërtesën qeveritare.
Gjatë takimit, i cili është udhëhequr nga kryeinspektori i Inspektoratit të Tregut, Ruzhdi Shehu, e ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve kompetente të Kosovës, me ç’rast u bë prezantimi i Panit të Veprimit për mbikëqyrjen e tregut pas vendosjes së masave të reciprocitetit për marrëdhëniet tregtare me këto dy shtete.
Kryeinspektori i Inspektoratit të Tregut, Ruzhdi Shehu gjatë prezantimit të Planit të Veprimit, ka sqaruar aktivitetet dhe metodat e mbikëqyrjes, institucionet përgjegjëse për implementimin e Planit, periudhat e kontrollimit si dhe masat dhe raportimin rreth këtij procesi.
Me këtë plan të veprimit është vendosur për aktivitetet e inspektorëve të tregut, ku përfshihen kontrollimet për dokumentacionin e produkteve, regjistrimin e stoqeve të importeve, kontrollimin e produkteve të vendosura në depo dhe produkteve të vendosura për konsumatorë dhe ndërmarrja e të gjitha veprimeve me qëllim të luftimit dhe parandalimit të ekonomisë joformale.
Po ashtu, kontrolli do të bëhet te të gjitha subjektet afariste të cilat veprojnë në territorin e Republikës së Kosovës, se organi kryesor për implementimin e Planit do të jetë Inspektorati i Tregut, përmes inspektorëve të vendosur në njësitë komunale dhe për organet mbështetëse të cilat do të jenë Doganat e Kosovës, Policia e Kosovës dhe inspektorët e inspektorateve të tjera përgjegjëse për mbikëqyrjen e tregut.
U bë e ditur se për periudhën e kontrollimit intensiv, e cila do të fillojë nga data 9 gusht 2011, e që do të zgjasë deri më 31 gusht 2001, do të ndërmerren masa ndaj të gjithë subjekteve afariste të cilat nuk kanë respektuar vendimin për parimin e reciprocitetit dhe të cilët kanë bërë shkelje të dispozitave të ligjeve dhe akteve nënligjore në fuqi.