E Shtunë, 31 Tetor 2026

MTKRS lë në baltë regjisorët e rinj, rrezikohet realizimi i veprave teatrore

Buxheti prej 40 milionë lekësh, ndëshkon Teatrin e të Rinjve

Janë 10 projekte teatrore të regjisorëve të rinj, që do të kalojnë në komisionin e ngritur për festivalin Teatri i të Rinjve, ku do të përzgjidhen 6 prej tyre. Regjisorët e rinj pas disa javësh do të ngjisin në skenën e Teatrit Kombëtar veprat e tyre teatrore, ku edhe këtë vit vjen festivali Teatri i të Rinjve, i cili është konsideruara si shumë i rëndësishëm nga organizatorët për promovimin

e talenteve të rinj të artit skenik. Këtë vit fondi publik për kompeticionin e artistëve të rinj në Teatrin Kombëtar pëson ulje. Megjithëse projekti dhe java teatrore për të rinjtë tashmë ka startuar dhe janë të shumtë ata që presin të jenë pjesëmarrës në këtë festival teatror, fondi i vënë në dispozicion nga Ministria e Kulturës këtë vit është më i vogël. Nga 50 milionë lekë të vjetra, një vit më parë shifra reduktohet në rreth 40 milion lekë të vjetra për 6 projekte teatrore, që do të rezultojnë fituese nga juria e ngritur nga sektori i artit në bashkëpunim me TK. Në një kohë kur nga ky institucion pohohet për projekte dhe ndihmë financiare më shumë për të rinjtë, edhe në të vetmin festival që kjo ministri mbështet për të rinjtë, kjo gjë duket e largët. Me një buxhet kaq të vogël zor se të rinjtë do të arrijnë që ti realizojnë brenda të gjitha parametrave artistike veprat e tyre teatrore. Tashmë të braktisur nga politikat që po ndjek prej kohësh ky institucion, i cili në vend që ti vijë në ndihmë atyre, bën të kundërtën, ka bërë që shumë regjisorë të rinj, të mos e gjejnë veten në këtë projekt. Megjithëse nga viti në vit është kërkuar që të ketë dhe më shumë buxhet, çuditërisht ai vjen edhe këtë vit më i reduktuar. Komisioni i vlerësimit të këtyre projekteve teatrore ka në përbërje të tij emra të njohur si Rajmonda Bulku, Mimoza Sofroni dhe Adonis Filipi, të cilët mendohet që të fillojnë nga puna për përzgjedhjen e projekteve nga java e ardhshme.

Për më tepër lexoni "Gazeta Sot"

Last Updated on E Shtune, 14 Gusht 2010 07:49

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›