Xhaferaj pjesë e aferave, merr në mbrojtje Vodafon duke pranuar pazaret që po bëhen në restaurimin e Mozaikut
U bënë disa javë që nga gazeta SOT po bëhen publike fakte, të cilat tregojnë se mbi projektin e restaurimit në Mozaikun e Muzeut Historik Kombëtar po bëhen abuzime, duke i sjellë përfitime me qindra milionë lekë një kompanie celulare.
Pas kaq javësh, ku nuk ka munguar dhe zëri i shumë personaliteteve të artit në vendin tonë, por dhe shumë intelektualëve të ndryshëm më në fund Ministria e Kulturës dhe kreu i saj Ferdinand Xhaferaj u zgjua nga gjumi, por vetëm për të mbrojtur kompaninë Vodafon dhe për të mbrojtur aferat që ka bërë në bashkëpunim me të, në restaurimin e Mozaikut. Dje me anë të një reagimi zyrtar nëpërmjet postës elektronike MTKRS ka pretenduar që të shpjegojë por pa fakte të detajuara dhe të qarta, se si është lidhur marrëveshja për këtë projekt restaurimi, i cili ka kohë por akoma nuk ka nisur. Themi pretendon të shpjegojë, por në fakt nga gjithë ky shpjegim, nuk bëhet gjë tjetër veçse konfirmohen të gjitha parregullsitë ligjore dhe aferat e bëra nga MTKRS, La Strada dhe Vodafon, që SOT ka konstatuar në restaurimin e Mozaikut. Botimi i këtij reagimi, është kërkuar me këmbëngulje nga zëdhënësja e ministrisë, Lori Ylli.
Përballja e MTKRS me faktet e gazetës SOT
Në shpjegimin e tij zyrtar Xhaferaj shprehet se: Në lidhje me marrëveshjen e bashkëpunimit Për restaurimin e Fasadës së Mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar nënshkruar nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Tiranë, Ju informojmë si më poshtë vijon: Kjo marrëveshje është lidhur mes Drejtorisë Rajonale e Kulturës Kombëtare Tiranë dhe La strada shpk dhe Skela Syla shpk dhe është nënshkruar me datë 17.05.2010. Kohëzgjatja e kësaj marrëveshje përfshin dy faza. Faza e parë është diagnostikimi, hulumtimi dhe hartimi e projektit te plote të restaurimit dhe konservimit të mozaikut mural në fasadën e Muzeut Kombëtar. Faza e dytë nënkupton zbatimin sipas ligjit të rekomandimeve shkencore që kanë dalë nga faza e parë e këtij projekti restaurues. Bazuar në marrëveshjen fillestare ky projekt bëhet i vlefshëm pasi miratohet në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve (projekti restaurues do të kalojë në mbledhjen më të afërt të KKR-së). Gjithashtu faza e dytë parashikon të përcaktohet qartë vlera e financimit të projektit të zbatimit, afatet e përfundimit, detyrimet e palëve kontraktore, si dhe masat që do të ndërmerren në rast të moszbatimit të detyrimeve kontraktore. Në këtë fazë do të merren në konsideratë çmimet e tregut në fushën e reklamave për të përcaktuar detyrimet konkrete të palëve. Shoqëria La strada shpk është përgjegjëse për reklamën në fazën e parë të projektit, e cila ka për qëllim promovimin e iniciativës shtetërore për restaurimin e mozaikut në bashkëpunim me subjekte privatë të liçensuar për këtë qëllim. Nga ana tjetër Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Tiranë është përgjegjëse për zbatimin, monitorimin dhe raportimin në lidhje me projektin në përputhje me kriteret dhe standardet që parashikon ligji nr. 9048, datë 07.04.2003 Për trashëgiminë kulturore, i ndryshuar. Çdokush që e lexon këtë shpjegim të zotit ministër dhe vartësve të tij në MTKRS kupton lehtë se ky nuk është asgjë tjetër veçse një pranim i gjithë atyre fakteve që SOT ka parashtruar. Pra, që Vodafon, edhe pse për muaj të tërë ka zënë një hapësirë publike 440 metra katrore me reklamën e saj duke përfituar rreth 1 miliardë lekë në vit, nuk është fare pjesë e kontratës për restaurimin e Mozaikut në Muzeun Kombëtar. Teksa Xhaferaj shpjegon raportin e firmës La Strada në kontratë, ai nuk shpjegon pikërisht pozicionin e Vodafon në këtë kontratë. Në gazetën SOT ngrihet pretendimi se Shoqëria La strada shpk është seksere dhe fantazmë. Ky pretendim nuk qëndron pasi kjo shoqëri figuron e regjistruar në QKR sipas ekstraktit të lëshuar nga kjo e fundit (të publikuar në gazetën SOT), shoqëria La stada shpk ka si objekt të veprimtarisë së saj administrimin e tabelave dhe paneleve të reklamave ku shfaqen dhe reklamohen posterat e mallrave dhe produkteve të klientëve të saj,.. etj. Siç rezulton, kjo shoqëri ka marrë përsipër të reklamojë ndër të tjera edhe veprimtarinë e Vodafone përmes kësaj marrëveshje bashkëpunimi, në këmbim të së cilës merr përsipër financimin e restaurimit të mozaikut të fasadës së MHK, tenton të shpjegojë Xhaferraj. Megjithatë, SOT do ti përgjigjet sërish ministrit Xhaferaj, duke i bërë të ditur se La Strada është një firmë fantazmë sepse ekziston në kontratën e restaurimit të Mozaikut, por jo në Mozaik. La Strada është fantazmë sepse dhe MTKRS ka pranuar që kjo firmë ia ka shitur Vodafonit reklamën e MTKRS, por vetë nuk është futur në banerin e financuesve të projektit restaurues. Pra, MTKRS pranon që kjo firmë ka bërë vetëm transaksionin mes MTKRS dhe Vodafon, duke pranuar njëkohësisht se po bëjnë biznes me Muzeun Kombëtar. Në gazetën SOT pretendohet se shoqëria La strada shpk pasurohet nga MTKRS duke marrë financime për procesin e reklamimit. Ky pretendim është i pabazë pasi kjo shoqëri e ka vendosur këtë reklamë tabele në përputhje me marrëveshjen e bashkëpunimit të cituar më lart. Për detyrime të tjera ligjore dhe financiare zbatohet gjithashtu ligji nr. 8652, dt.31.07.2000, Për Organizimin dhe Funksionimin e Pushtetit Lokal, dhe ligjit nr.9632, datë 30.10.2006 Për Sistemin e Taksave Vendore. Theksojmë se Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ose çdo institucion në varësi të saj nuk ka akorduar asnjë fond për financimin e këtij projekti, thuhet në përgjigjen e MTKRS. Por MTKRS nuk shpjegon nëse La Strada apo Vodafon i kanë shlyer taksat prej rreth 1 miliardë lekë në vit ndaj pushtetit lokal për reklamën në hapësirën publike prej 440 metra katrorësh që kanë zaptuar prej kaq muajsh. Në gazetën SOT pretendohet se kontrata tregon mashtrim të drejtorit të DRKKT ku emri Vodafone nuk figuron. Edhe ky pretendim është i pabazë pasi kjo marrëveshje shpreh vullnet të plotë të palëve nënshkruese dhe vjen në përputhje me Kodin Civil dhe ligjislacionin përkatës. Mungesa e emrit Vodafone në marrëveshje nuk përbën shkak ligjor për ta cilësuar atë si mashtrim, pasi vetë shoqëria La strada shpk ka si objekt të veprimtarisë së saj reklamimin e klientëve të saj, siç rezulton midis tyre subjekti Vodafone sh.a. Është vetë shoqëria La Strada që sipas marrëveshjes fillestare ka marrë iniciativën për financimin e projektit të plotë restaurues, thuhet në njoftimin zyrtar të MTKRS. Por kjo ministri nuk shpjegon faktin pse Vodafon që nuk është pjesë e kontratës duhet të jetë i afishuar me të mëdha në Mozaik ndërsa La Strada e cila është pjesë e kontratës nuk bëhet e ditur në afishe. Ndërsa një tjetër detaj që nuk shpjegon MTKRS, është fakti se me çtë drejtë La Strada i kalon të drejtën e financimit një firme tjetër, derisa pjesë e kontratës është vetë ajo. Nga po kjo gazetë është ngritur pretendimi se ky projekt restaurimi nuk i është nënshkruar prokurimit publik. Në lidhje me këtë pretendim informojmë publikun se është totalisht e pabazuar. Ligji për prokurimet publike aplikohet në rastet kur një institucion shtetëror kërkon të shpenzojë fonde buxhetore për mallra, shërbime dhe ndërtime. Në rastin konkret nuk shpenzohet asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit prandaj ligji për prokurimet publike është i paaplikueshëm. Fondet për restaurimin e mozaikut vijnë nga sektori privat si rezultat i bashkëpunimit të këtij sektori me DRKK Tiranë, përfundon shpjegimi i MTKRS. Por gazeta SOT i sqaron MTKRS e cila nuk pranon të shpjegohet për këtë detaj, se firma La Strada që ata kanë kontraktuar vendos të përzgjedhë një firmë në mënyrë krejt abuzive një firmë tjetër për të kryer reklamimin, duke përfituar lekë falas për këtë veprim. Nga ana tjetër kjo firmë pasurohet nga ana e Ministrisë së Kulturës, duke marrë financime për procesin e reklamimit. Ndërkohë që duke ia kaluar këtë atribut vetë firmës Vodafon, La Strada arrin të marrë sërish të ardhura shtesë.
Personalitete e artit: Ministria e Kulturës, me njerëz të paaftë dhe parelinj
Prej disa muaj