MUZIKË – Bob Marley do të ishte sot 80 vjeç

TIRANË, 6 shkurt /ATSH/ – Sot do të ishte ditëlindja e 80-të e muzikantit xhamajkan më të famshëm në botë, Bob Marley, një kantautor që ishte pionier i reggae, një formë muzike që e popullarizoi atë në të gjithë globin, sipas britannica.com.
Bob Marley u lind më 6 shkurt 1945, në Nine Miles, St. Ann, Xhamajkë dhe vdiq më 11 maj 1981, në Miami, Florida, SHBA.
Marley – prindërit e të cilit ishin Norval Sinclair Marley dhe Cedela Malcolm, do të mbetet përgjithmonë produkti unik i botëve paralele.
Botëkuptimi i tij poetik u formësua nga fshati, muzika e tij nga rrugët e vështira dhe të varfra të West Kingstonit.
Në adoleshencën e hershme Marley jetoi në banesa të subvencionuara nga qeveria në Trench Town, një zonë dëshpërimisht e varfër dhe shpesh e krahasuar me një kanalizim të hapur.
Në fillim të viteve 1960, ndërsa ishte ende një nxënës, Marley u njoh me ritmet e muzikës së ashtuquajtur ”jazz-ska”, një përzierje xhamajkane e ritmeve amerikane dhe bluzit.
Marley ishte një adhurues i Fats Domino, Moonglows dhe këngëtarit të popit Ricky Nelson, por, kur i erdhi shansi i madh në vitin 1961 për të regjistruar me producentin Leslie Kong, ai kompozoi “Judge Not”, një baladë plot energji që ai kishte shkruar, e cila rrjedh nga maksimat rurale të mësuara nga gjyshi i tij.
Këngët e tij më të njohura, të kënduara në të gjithë botën janë ”No Woman No Cry” (1975), ”Exodus” (1977), ”Slave Driver” (1973), ”Turn Your Lights Down Low” (1977), ”I Shot the Sheriff” (1973), ”Is This Love?” (1978), ”Trenchtown Rock” (1971), ”Redemption Song” (1980), ”Stir It Up” (1973) dhe ”Get Up Stand Up” (1973).
Në prill 1981, qeveria xhamajkane i dha Marley-t ”Urdhrin e Meritës”.
Një muaj më vonë ai vdiq nga kanceri.
Edhe pse këngët e tij ishin disa nga më të pëlqyerat dhe më të vlerësuarat nga kritikët, Marley është shumë më i njohur pas vdekjes sesa kishte qenë kur ishte gjallë.
Modeli i flokëve, i lidhur me fenë Rastafari, u bë i njohur në Shtetet e Bashkuara dhe pjesë të tjera të botës kryesisht përmes ndikimit të gjerë muzikor dhe kulturor të Marley-t.
”Legend” (1984), një retrospektivë e punës së tij, u bë albumi reggae më i shitur ndonjëherë, me shitje ndërkombëtare prej më shumë se 12 milionë kopjesh./ a.jor.