MV – Mickoski merr mandatin për formimin e qeverisë

SHKUP, 6 qershor /ATSH/ – Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova mandatoi sot Hristijan Mickoskin, kryetarin e VMRO-DPMNE-së, për formimin e qeverisë.
“Besoj se hapin që po bëj sot duke i besuar formimin e qeverisë Mickoskit, është hapi i vërtetë juridik dhe politik”, tha Davkova.
Sipas Kushtetutës, mandati për formimin e qeverisë i jepet partisë, e cila në zgjedhje fiton numrin më të madh të deputetëve dhe që arrin të sigurojë mbi 60 vota për votimin e saj në parlament.
Në zgjedhjet parlamentare të 8 majit, VMRO DPMNE-ja ka fituar 58 vende.
Pas marrjes së mandatit, kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka afat prej 20 ditësh për paraqitjen në parlament të përbërjes së qeverisë dhe të programit të punës.
Qeveria e re do të formohet nga VMRO DPMNE-ja, koalicioni shqiptar VLEN dhe lëvizja ZNAM.
Këto tri parti së bashku kanë 78 deputetë./ (REL) /os/