Darëzeza çel sezonin turistik

TIRANË, 31 maj /ATSH/ Bashkia e Fierit çeli sot sezonin turistik përmes një aktiviteti festiv në plazhin e Derëzezës.
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla ndau në rrjete sociale momente nga aktivitetet e zhvilluara me këtë rast, për të promovuar këtë pjesë të bregdetit të Adriatikut.
Me 18 km vijë bregdetare ende për t’u shfrytëzuar, qyteti i Fierit ofron një potencial të vërtetë për zhvillimin e turizmit veror.
Me një gjatësi prej 13.7 km, plazhi i Darzezës, rreth 20 km larg Fierit, po frekuentohet gjithnjë e më shumë nga pushues vendas e të huaj.
Darzeza, Semani, Ndërnënasi, Pish Poro janë vetëm disa nga plazhet e vijës bregdetare të Fierit, bregdete që në pjesën më të madhe të tyre janë ende të panjohura, edhe pse shumë të bukura dhe me pak shpenzime.
Plazhe ranore me shtrirje të konsiderueshme dhe brezi i pyllit të pishave që bashkëshoqëron vijën bregdetare të ofrojnë qetësi dhe argëtim në të njëjtën kohë.
Hapësira pa fund bregdetare me rërë të imët kurative, plazhe familjare me ujëra të ngrohta dhe të cekëta të pasura me gjallesa ujore janë ato që të ofron kjo pjesë e Adriatikut.
Ndërkohë gatimet tradicionale me prodhime vendase dhe çmime të përballueshme mbeten joshja e pushuesve në bregdetin e Fierit.
Vija bregdetare e Fierit nuk ofron vetëm plazhe, por edhe vende fantastike për aventurë, për qitje me piatel në pyll, eksplorim, peshkim apo sporte ekstreme.
1 nga 9