MYNIH – Zelensky i drejtohet sot Konferencës së Sigurisë, në fokus nisma e paqes

MYNIH, 15 shkurt /ATSH-DPA/- Konferenca e Sigurisë së Mynihut hyn sot në ditën e saj të dytë – ku pritet të mbahen fjalimet e kancelarit gjerman dhe presidentit ukrainas, pas një sërë shqetësimesh në ditën e hapjes së takimit së nivelit të lartë të liderëve botërorë dhe ekspertëve të politikës së jashtme.
Kancelari gjerman Olaf Scholz, ka planifikuar të flasë për rolin e Gjermanisë, t’i përgjigjet kërkesës së zëvendëspresidentit të SHBA-së, JD Vance – i cili kërkoi që Berlini të mbante përgjegjësi më të madhe për sigurinë evropiane – si ekonomia më e madhe e kontinentit.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do t’i drejtohet konferencës dhe pritet t’i përgjigjet nismës së paqes të iniciuar nga presidenti amerikan, Donald Trump pas një bisede telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, këtë javë.
Vance i tha Zelensky-t në takimin e djeshëm – se Uashingtoni synon të arrijë një “paqe të qëndrueshme”, megjithëse presidenti ukrainas mbeti i paqartë se si kjo do të arrihej – pasi lufta e Moskës kundër Ukrainës po hyn në vitin e katërt.
Ukraina është ndër temat kryesore që pritet të jetë në fokus të bisedimeve të 60 liderëve botërorë dhe më shumë se 100 ministrave të mbledhur në Mynih – së bashku me çështjet në Izrael dhe territoret palestineze dhe Siri.
Por, Vance shkaktoi habi dje – kur shmangu çështjet gjeopolitike në fjalimin e tij të shumëpritur, dhe në vend të kësaj ai kritikoi aleatët evropianë të Uashingtonit.
Ai akuzoi politikanët evropianë për shtypjen e fjalës së lirë dhe përjashtimin e partive populiste të krahut të djathtë, ndërsa kërkon një goditje ndaj migracionit në kontinent.
Politika e brendshme ka të ngjarë të jetë në fokus të Scholz – ndërsa Gjermania përgatitet për zgjedhjet e parakohshme më 23 shkurt.
Ai dhe rivali i tij kryesor, lideri i opozitës konservatore Friedrich Merz, do të shfaqen gjithashtu në mitingjet e partisë gjatë qëndrimit në Mynih.
Merz gjithashtu do t’i bashkohet një diskutimi lidhur me rolin e Evropës në mbështetjen e Ukrainës, ku ka të ngjarë të akuzojë Scholz për vonimin e armëve gjatë pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska. //a.i/