“Macja që bën papuçe”, premierë e re në Teatrin e Kukullave

TIRANE, 30 maj /ATSH/ Teatri i Kukullave do të sjellë për publikun e vogël premierën më të re, “Macja që bën papuçe”, një aventurë fantastike plot humor, muzikë dhe surpriza.
Shfaqja, e rekomanduar për fëmijë mbi moshën 5 vjeç, përcjell mesazhe edukuese mbi përgjegjësinë, respektimin e rregullave dhe rëndësinë e miqësisë. Përmes humorit, këngës dhe lojës skenike, personazhet mësojnë se edhe zakonet e vogla kanë vlerë dhe se premtimet vlejnë vetëm kur mbahen.
“Macja që bën papuçe” nuk flet për ndëshkimin, por për kujdesin ndaj vetes dhe të tjerëve, duke i ftuar fëmijët të kuptojnë rëndësinë e mirëkuptimit, faljes dhe bashkëpunimit.
Shfaqja vjen nën regjinë e Davor Dragojević, me dizajn nga Kiril Vasilev dhe muzikë të Aleksandar Saša Gajić. Përkthimi është realizuar nga Nikolla Sudar.
Në skenë interpretojnë aktorët Jorida Meta, Esmeralda Kame, Aleksandër Grami, Madi Selimi dhe Erdit Asllanaj.
Premiera do të mbahet më 30 dhe 31 maj, në oraret 10:30 dhe 11:30, në ambientet e Teatrit të Kukullave.
Biletat mund të sigurohen pranë recepsionit të teatrit, ndërsa organizatorët bëjnë apel që publiku të paraqitet në kohë, pasi dyert mbyllen 10 minuta para fillimit të shfaqjes.