E Hënë, 2 Nëntor 2026

Macron: BE-ja nuk ishte “aq e frikshme” për Trump që të arrinte një marrëveshje më të mirë

Presidenti francez Emmanuel Macron “theu heshtjen” të mërkurën, duke dhënë për herë të parë mendimin e tij për marrëveshjen tregtare SHBA–BE të arritur në fundjavë mes presidentit amerikan Donald Trump dhe shefes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

Gjatë një takimi me kabinetin e tij, mësohet se Macron kritikoi Bashkimin Europian se nuk e shfrytëzoi si duhet epërsinë e tregut të vet përballë atij amerikan.

“Neve duhet të na e kenë frikën. Nuk ishim mjaftueshëm të frikshëm,” deklaroi Macron sipas “Politico”, duke cituar një zyrtar francez në kushte anonimati.

Të hënën, kryeministri francez e quajti marrëveshjen që parashikon tarifa 15% mbi shumicën e eksporteve europiane në BE, një “ditë të trishtë për Europën“.

Macron gjithashtu raportohet se vlerësoi punën e negociatorëve europianë për të mbrojtur interesat e Francës dhe ato europiane gjatë “negociatave të zhvilluara në kushte të vështira”.

“Historia nuk ka mbaruar dhe nuk kemi për t’u ndalur këtu,” tha ai.

Kritikat e palës franceze dallojnë nga qëndrimet e Gjermanisë dhe Italisë, përmes kancelarit Friedrich Merz dhe kryeministres Giorgia Meloni, të cilët e kanë përshëndetur paktin amerikano-europian.

Brukseli, nga ana e vet, është shprehur se marrëveshja e arritur ishte më e mira që mund të bënin dhe është një hap pozitiv kundrejt masës tarifore 30 për qind që kishte paralajmëruar presidenti Trump nëse palët nuk do të binin dakord. /Politico

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›