Macron: Problem serioz nëse Britania dhe Franca nuk mund të dallojnë nëse janë miq apo armiq

Emmanuel Macron i ka dhënë një përgjigje të prerë kandidates për presidencën e konservatorëve dhe kryeministres së Britanisë, Liz Truss, e cila shmangu një përgjigje të qartë për pyetjen nëse presidenti francez është “mik apo armik”. Emmanuel Macron pretendoi se Franca dhe Britania mund të shkojnë drejt “telasheve serioze” pas deklaratave të Truss.
Gjatë vizitës së tij në Algjeri, Emmanuel Macron u pyet për deklaratën e Liz Truss, e cila është favoritja për të pasuar Boris Johnson dhe presidenti francez u përgjigj: “Nuk është mirë të humbasësh kaq shumë drejtimin”. I pyetur se çfarë do të përgjigjej nëse do t’i bëhej e njëjta pyetje, Emmanuel Macron tha: “Nuk do të hezitoja për asnjë minutë. Franca është një mike e popullit britanik”.
“Nëse Franca dhe Britania nuk mund të thonë nëse janë miq apo armiq, dhe ky nuk është një term neutral, atëherë ne po shkojmë drejt problemeve serioze”, vuri në dukje presidenti francez.
Franca dhe Britania kanë mjaft dallime, veçanërisht kur bëhet fjalë për epokën pas Brexit, qoftë peshkimi apo Protokolli i Irlandës së Veriut. Të dy vendet, aleatë të NATO-s, gjithashtu kishin qasje të ndryshme ndaj pushtimit rus të Ukrainës. Boris Johnson mbajti një qëndrim shumë të ashpër kundër presidentit rus Vladimir Putin , ndërsa Emmanuel Macron mbrojti nevojën për të mbajtur dialogun me Kremlinin.
Marrëdhëniet mes Parisit dhe Londrës dolën sërish në plan të parë kur debati u kthye në pavarësinë energjetike të Britanisë, ku çmimet po rriten për shkak të rritjes së çmimit të gazit. Britania duhet të ndërtojë termocentrale të reja bërthamore, argumentoi Liz Truss, e cila tha se nëse i duhej të zgjidhte midis ekspertizës bërthamore franceze dhe kineze, ajo do t’i besonte Francës./ CNN.gr
/rtsh.al/