Macron uron Magyar: Franca përshëndet triumfin e pjesëmarrjes demokratike në Hungari dhe përkushtimin e popullit hungarez ndaj vlerave të BE-së

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u rreshtua mes liderëve të parë evropianë që reaguan pas përfundimit të procesit zgjedhor në Hungari, duke konfirmuar mbështetjen e tij për fitoren e liderit të opozitës, Péter Magyar.
Përmes një mesazhi zyrtar në platformën “X”, kreu i Elizesë bëri të ditur se ka zhvilluar një bisedë telefonike me Magyar, menjëherë pas shpalljes së rezultateve që i dhanë fund qeverisjes 16-vjeçare të Viktor Orbán.
Mesazhi i Parisit për vlerat evropiane
Në deklaratën e tij, Presidenti Macron vlerësoi lart angazhimin e qytetarëve hungarezë, duke e cilësuar rezultatin si një dëshmi të aspiratave evropiane të vendit:
“Franca përshëndet triumfin e pjesëmarrjes demokratike dhe përkushtimin e popullit hungarez ndaj vlerave të Bashkimit Evropian dhe rolit të Hungarisë në Evropë,” u shpreh Macron.
Përveç urimit, lideri francez skicoi edhe linjat kryesore të bashkëpunimit të ardhshëm me qeverinë e re në Budapest. Macron theksoi nevojën për një koordinim më të ngushtë në tri fusha strategjike për bllokun përforcimi i pavarësisë së kontinentit; sigurimi i qëndrueshmërisë ekonomike dhe ushtarake; ruajtja e parimeve themelore të shtetit të së drejtës brenda Bashkimit Evropian.
Ky reagim i shpejtë i Parisit komentohet si një përpjekje për të integruar sa më parë administratën e re hungareze në proceset vendimmarrëse të Brukselit, pas një periudhe të gjatë ngërçi dhe izolimi diplomatik që shoqëroi kabinetin e kaluar të Orbán-it.
/rtsh.al/