E Shtunë, 31 Tetor 2026

Magani e thotë “labçe”: E kalojmë Buduçnostin

SHKRUAN: Jeton Selimi 30-06-2011 12:26

Magani ka lënë mënjanë problemet që kanë përfshirë drejtuesit më të lartë të Flamurtarit për kthimin e klubit vlonjat në sh.a dhe është fokusuar vetëm në një sfidë: atë kundër Buduçnostit. Trajneri peqinas që është në sezonin e tij të tretë në krye të kuqezinjve, do të kërkojë medoemos që të arrijë të kalojë një tur në Europë, duke qenë se herën e fundit u eliminua nga Motheruelli me humbjen e turpshme 8-1 në Skoci, ndonëse kishte fituar të parën në Vlorë. Magani ka shumë besim te lojtarët e tij. “Testet e zhvilluara kanë treguar se grupi i futbollistëve që kam në dispozicion për këtë ndeshje ka një formë të mirë, që premton për ta përballuar kundështarin. Tri ndeshjet miqësore që kemi zhvilluar na kanë shërbyer shumë për të arritur kompaktësinë e duhur, që është e vështirë në një periudhë të tillë direkt pas përfundimit të sezonit,” komentin Magani gjendjen fizike të lojtarëve të tij. Por, ndonëse ka një besim të patundur te të tijtë, Magani zgjedh të mos kërkojë gjithça që në ndeshjen e parë. Aryseja është ndeshja e kthimit, e cila do të luhet në Vlorë pas një jave. “Nuk mendoj asnjëherë të bëj aventurë. Nuk është ndeshja e kthimit ku mund të jesh i detyruar të kërkosh zgjidhje të tilla. Ne do të luajmë në sulm, pa harruar për asnjë moment të jemi të kujdesshëm në prapavijë. Kam bindje se do të dimë të jemi profesionistë në fushën e lojës. Pikat e forta të kundërshtarit i njohim mirë dhe kemi marrë masat e duhura. Rezultati? Nga pozicioni trajnerit, kuptohet që është fitorja. Por të jem realistë, për këtë ndeshje do të më kënaqte shumë barazimi. Ndoshta kështu do të krijohet mundësia më e mirë që, pas një jave në Vlorë, të kërkojmë kualifikimin për turin e dytë,” konfirmon Magani pak përpara nisjes me autobus për në Podgoricë. Gjithashtu, trajneri pohon se e ka parasysh kundërshtarin e tij, pasi e ka ndjekur në miqësoren me Vllazninë. “Ata kanë një skuadër të mirë. Portieri i tyre ishte vërtet i zoti. Edhe mbrojtësit anësorë ishin të shpejtë e të fortë. Mbronin dhe sulmonin me të njëjtën zotësi. Edhe sulmuesi Mugosha ishte i rrezikshëm. Do të kërkojmë ta mbulojmë mirë atë,” tregon Magani, që duhet se e ka planifikuar me detaje sfidën e sotme.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›