Magjia e cirkut në qytetin e gurtë – “Marina Orfei” sjell spektakël me klounë, tigra dhe akrobaci

Trupa e famshme e cirkut italian, “Marina Orfei”, ka rikthyer emocionin e spektaklit në Gjirokastër, duke sjellë traditën e cirkut në qytetin e gurtë.
Në spektakël marrin pjesë artistë profesionistë me eksperiencë ndërkombëtare, akrobatë të ajrit, zhonglerë, iluzionistë, si dhe numra me qen dhe tigra siberianë.
“Deri tani e ndiejmë veten shumë mirë, si me pjesëmarrjen, ashtu edhe me qytetin, që është shumë i bukur. Publiku na përgjigjet mjaft mirë, megjithëse e prezantojmë spektaklin në italisht,” thotë Ricardo Zafatta, drejtues artistik dhe akrobat.
“Nuk e prisja një popull kaq të bukur. Publiku ka shumë interes. Mendoj që këto shfaqje do të jenë një sukses. Roli im është të bëj fëmijët të qeshin dhe t’i përfshij në spektakël,” shton Roberto Riva, klouni i trupës.
Për shumë vogëlushë në Gjirokastër, kjo është përvoja e parë me një cirk të vërtetë, ndaj emocionet janë të forta. Disa prej tyre shprehen se mezi prisnin të shihnin nga afër kafshët dhe klounët.
Cirku “Marina Orfei”, me histori që nis nga vitet 1950, ka shëtitur në shumë vende të botës, duke sjellë përvoja unike në botën e spektaklit dhe artit skenik. Në Gjirokastër, ai pritet të qëndrojë për një javë, me mundësi zgjatjeje, falë interesit të lartë të publikut.
Gazetare: Boralda Pëllumbi
/rtsh.al/