E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majko: Politika ka dështuar në ndërtimin e shtetit ligjor

TIRANË- Kandidati për deputet i PS-së në zgjedhjet e 23 qershorit në njësinë numër 5 në Tiranë, Pandeli Majko gjatë një bashkëbisedimi me studentë të Universitetit Evropian të Tiranës, vlerësoi se Shqipëria ka nevojë urgjente për rishikim të aspektit ekonomiko-social teksa ka bërë thirrje që i jepet fund deklaratave qesharake se vendi ynë renditet ndër vendet më të zhvilluara në Botë. 

“Së pari, mendoj se aspekti ekonomiko-social i këtyre 22 viteve demokraci në Shqipëri ka nevojë urgjente për rishikim. Për t’u bërë qesharakë me përrallat e vendit më të zhvilluar në botë, është e thjeshtë. Një ekonomi e egër, ku fiton jo më i forti, por ai që është më pranë “klanit” në pushtet, i ka thelluar diferencat sociale në atë masë sa, duhet një rishikim i rregullave të lojës. Quhemi një vend në zhvillim, por nuk duhet të harrojmë, pa u turpëruar aspak, se jemi ndër më të varfërit në Europë. Varfëria e tejskajshme është migjeniane në shumë fshatra të Shqipërisë. Por dhe shtresa e mesme, ajo që sjell zhvillimin dhe shtyn përpara shoqërinë, sot është e mbytur në borxhe, e bllokuar në skemat korruptive të elitës në pushtet dhe e kërcënuar deri dhe me shtyrjen me muaj të ditës së rrogës”, u shpreh Majko duke shtuar se politikat e vërteta sociale janë ato që sot më tepër se kurrë mund të ndihmojnë shoqërinë tonë dhe sipas tij PS është e aftë ta bëjë. 

Pika e dytë ku u ndal Majko ishte mungesa e një shteti ligjor dhe nevoja për të pasur një të tillë si dhe maksimalizimi i shanseve që na ka ofruar historia. 

“ Së dyti, duhet me patjetër të ndërtojmë një shtet solid ligjor, bazuar në respektin e palëkundshëm për qytetarin. Shqipëria ka paguar kosto shumë të mëdha nga politikat e gabuara, duke nisur me parajsën e premtuar të piramidave, polarizimin e skajshëm politik dhe shumë e shumë jetë të humbura edhe për faj të politikës. Së treti, duhet të maksimalizojmë shanset që na ka dhënë historia, me ndihmën e miqve tanë euro-atlantikë. Pavarësimi i Kosovës, valorizimi i faktorit shqiptar në Maqedoni dhe anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, janë momente historike që vërtetojnë se bashkimi vërtet bën fuqinë, dhe nuk është një legjendë skënderbegiane. 14 vjet më parë ne shqiptarët fituam Kosovën. 12 vjet më parë, barazuam të drejtat me Marrëveshjen e Ohrit. 14 vjet më parë, në fillim vitin e ftohtë 1999, kostot dhe mundësitë e shtetit shqiptar për t’u përballur me luftën e Kosovës ishin poshtë të gjitha realiteteve të imagjinueshme. Nuk dua të kujtoj atë që të gjithë e dinë, por vetëm dua të përmend një vlerë që shoqëria jonë e ka, por politika nuk e ka reflektuar ende: Solidaritetin për të mirën e përbashkët”, theksoi Majko. 

Në 22 vite, tha Majo realiteti shqiptar është ndryshuar por deformimet e tij janë të importuara kryesisht nga politika e cila ka dështuar në axhendën e ndërtimit të shtetit ligjor. 

“Mundësitë dhe kostot e politikës janë udhëkryqi në këtë pragzgjedhje ku Shqipëria dhe shqiptarët duan më shumë se sa ndrimin pushteti. Marrdhënia empirike midis demokracisë dhe zhvillimit ekonomik mbetet ende me mjaft pikëpyetje në vazhdim. Tranzicioni autoritarist ka dështuar jo vetëm në Shqipëri. Ajo që bindshëm kemi kuptuar është se mungesa e legjitimitetit në një jetë të dyfishtë me rregullat e demokracisë po na vret ngadalë dhe nga pak cdo ditë. Kjo e bën ditën e zgjedhjeve 23 qeshorin një datë të vecantë. Jo vetëm për rezultatin por edhe për atë që vjen pas saj”, përfundoi fjalën e tij para studentëve Majko. 

(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›