E Diel, 1 Nëntor 2026

Majko këmbëngul për negociata me FRD e AKZ: Në PS tani ka një mendim të strukturuar për këtë gjë

Pandeli Majko, deputeti socialist që deklaroi i pari publikisht se duhet një bashkëpunim edh me Frymën e Re Demokratik dhe Aleancën KuqeZi, tha se tanimë në PS ka një mendim të strukturuar për këtë çështje. Duke folur për Ilir Babaramon në News 24, Majko la të kuptohet se edhe pse pati një refuzim fillestar, PS do të këmbëngulë sërish për të realizuar një aleancë me të gjithë për rrëzimin e Berishës.

E kam pritur edhe unë refuzimin paraprak, kjo ishte një ftesë publike, ka ende kohë, duhet negociuar kjo ftesë. Do ketë zhvillime në ditët që vijnë. Opozita nuk do jetë e ndarë. Krijimi i një koalicioni shumë të madh nuk është ëndërr në diell, duhet detajuar në vazhdim, do njerëz që të ulen në tavolinë dhe të negociojnë, tha Majko.

Për Majkon një fitore e PS në zgjedhjet e vitit 2013 nuk është vetëm një fitore e saj, por edhe e opozitës.

Çështja e koalicioneve është e hapur, deklaroi ai.

Nuk mendoj që ne duhet të ndjehemi pishman, me aleatët nuk ka kontrata rri me mua ose shko atje, nuk duhet parë në nivelin e tregtisë. Duhen para balancat, se çfarë përfiton nga bashkëpunimi ose jobashkëpunimi. Ne duam të krijojmë një hapësirë sa më të gjerë koalicioni, nuk duam që partitë opozitare të shkojnë të ndara në zgjedhje, duam një koalicion të madh. Ndryshe rrezikojmë që doktor Berisha të dalë pas zgjedhjeve dhe të thotë që do qeverisë vendin dhe 4 vite, vijoi Majko.

Majko ka komentuar edhe veprimtarinë politike të 7 viteve të opozitës, ndërsa tha se gjithmonë një forcë politike ka gjëra për të ndryshuar.

Nuk kemi bërë opozitën më të shkëlqyer, por ka vend për ndryshime, ndoshta njerëzit e duan më të fortë, por në sjelljen e opozitës në këto 7 vite nuk ka sjellje të pariparueshme, tha ai.

Relatori i draftit për heqjen e imunitetit tha se socialistët nuk do të votojnë më 6 gusht. Sipas tij është e pakuptueshme që të bëhen disa ndryshime kushtetuese tani dhe disa më vonë.

Data 6 është bërë si provë force, për të treguar kush është burri më i fortë. Është arritur një konsensus dhe le të logjikojmë me një logjikë të fortë dhe jo me logjikën e temperaturave të larta. Ne do të votojmë nen për nen të gjitha ndryshimet që kemi rënë dakord, u shpreh Majko.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›