Majlinda Kelmendi shpërblehet me 8 mijë euro

Medalja e bronztë e fituar në Kampionatin Evropian i ka sjell xhudistes Majlinda Kelmendi një çek prej 8 mijë eurosh nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Shpërblim morri edhe trajneri i saj Driton Ukaj i cili është shpërblyer me 4 mijë euro.
Jo vetëm kaq, xhudistja e shumë medaljeve dhe trajneri i saj me rregulloren e re për pensionet sportive kanë fituar edhe mbështetjen e përhershme financiare që do ta kenë nga mosha 45 vjeçare.
Me rastin e ndarjes së shpërblimeve Ministri i Kulturës, Memli Krasniqi e ka siguruar Kelmendin se shteti do të vazhdojë përkujdesjen për sportistët që arrijnë suksese dhe në mënyrën më të mirë e prezantojnë shtetin e tyre nëpër botë.
“Kjo nuk është medalja e parë e Majlindës, është medalja më e rëndësishme që e ka fituar Majlinda në nivelin e seniorëve dhe mendoj se ky është një stimulim për ne, për Federatën e Xhudos dhe Komitetin Olimpik”, ka thënë Krasniqi
Krasniqi ka thënë se tash e tutje me legjislacionin e ri shpërblimet për sportistët kosovarë do të varen nga suksesi që ata tregojnë.
“Nuk është një shpërblim që ndahet nga vullneti i një ministri apo një institucioni por është një shpërblim që një sportist e meriton me suksesin e vet, deri më tani ka qenë mbështetje që ka ardhur nga vullneti i mirë por tash e mbas kjo nuk varet nga vullneti jon por nga suksesi i sportistëve”, ka shtuar ai.
Krasniqi i ka premtuar Kelmendit se Ministria e tij do të vazhdojë përkrahjen, derisa ka thënë se niveli i mbështetjes financiare do të jetë sipas medaljeve dhe sukseseve që do të arrihen.
Ndërkaq, xhudistja Majlinda Kelmendi ka falënderuar ministrin për shpërblimin dhe përkrahjen e tij, derisa ka thënë që rruga e saj nuk ka qenë e lehtë sidomos kur ka pasur oferta serioze e konkrete nga shtetet e tjera.
“Jam e lumtur normal për shpërblimin por edhe për gjithë sportistët kosovar, tashmë ne nuk do të jemi të varur prej ndonjë ministri të caktuar apo institucioni por shpërblimet do të varen nga suksesi, forca dhe vullneti për të shpërblyer”, ka thënë ajo.
Së fundi, Xhudistja kosovare, Majlinda Kelmendi, e ka fituar medaljen e bronztë në Kampionatin evropian të senioreve, që është mbajtur në Budapest./Indeksonline/