Makina e Trebickës dërgohet në vendngjarje
TIRANË- Ekspertët e policisë dhe prokurorisë së Korçës kanë kryer dje një tjetër eksperiment me makinën e Kosta Trebickës për të mësuar edhe më shumë në lidhje me vdekjen e tij. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme pohuan dje se ata kanë dërguar edhe një herë makinën në vendin e ngjarjes dhe e kanë vendosur pikërisht aty ku mendohet se ka ndodhur aksidenti. Hetuesit pohuan se qëllimi i kësaj prove ishte verifikimi i ekuilibrit të makinës dhe amortizatorët e saj.
Pasi kanë kryer pothuajse të gjitha verifikimet e mundshme në komisariatin e policisë së Korçës, hetuesit janë detyruar që të dërgojnë edhe një herë makinën në vendin e ngjarjes. “Makina është vendosur edhe një herë aty ku ndodhi aksidenti për të parë mënyrën se si ai mund të ketë ndodhur. Qëllimi është verifikimi i plotë i kushteve tekniko- fizike të makinës. Ajo është vënë në vendin ku mendohet se ka ndodhur edhe kërcimi dhe është provuar për ekuilibrin”,- thanë dje burimet e grupit hetimor të çështjes. Sipas tyre, prova ka rezultuar me sukses dhe ata janë të kënaqur nga përfundimi i saj. “Nga prova që kryem ne vumë re se makina nuk kishte probleme me ekuilibrin. Kjo tregon se nuk ka pasur asgjë nga jashtë që të ketë ndikuar në këtë aksident apo që të ketë rrëzuar makinën. Gjithçka të shpie tek një gabim njerëzor por që është pothuajse i pamundur në kushte të tilla”,- thanë dje persona nga grupi hetimor i çështjes. Ata janë bazuar edhe në dëshmitë e shumë të njohurve të biznesmenit Kosta Trebicka, të cilët kanë pohuar se ai ishte një shofer shumë i mirë dhe nuk kishte asnjë mundësi të bënte një aksident të tillë. Kjo ekspertizë është ende paraprake pasi prokuroria nuk ka dhënë ende versionin e saj zyrtar në lidhje me këtë çështje.
Por ekspertët nuk kanë përcaktuar ende shpejtësinë e makinës në momentin e devijimit nga rruga. Edhe eksperti amerikan është marrë më shumë me pjesët e motorit dhe anën xhenerike të makinës dhe në këto kushte hetuesit nuk kanë dalë në përfundimin se me çfarë shpejtësie ecte makina, ndërkohë që përllogaritjet për këtë element që duket se është dhe thelbi i hetimit nuk i ka realizuar ende as ekspertiza shqiptare. Kjo do të ndihmonte edhe për të përcaktuar këndin e rënies si dhe mënyrën se si Kosta Trebicka mund të ketë dalë nga makina. Një tjetër pikë e errët e saj është fakti se si ajo, pas kryerjes së disa saltove në ajër, ka mbetur sërish e ndezur. Gjithashtu, mjeti është dëmtuar dhe në anën e kundërt të shoferit nga ku mendohet se ka dalë trupi i Kosta Trebickës, një element që ka pikëpyetje të shumta. EKSPERTIZAT E NEVOJSHME
1. Vendimi për kryerjen e ekspertimit mjeko-ligjor të kufomës. Akti i ekspertimit përgatitet nga Instituti i Mjekësisë Ligjore Tiranë. Deri tani ata kanë deklaruar konkluzionet paraprake mbi shkakun e vdekjes.
2. Vendimi për kryerjen e ekspertimit tekniko-balistik (të armës së gjahut). Akti i ekspertimit po përgatitet nga Instituti i Policisë Shkencore Tiranë.
3. Vendimi për kryerjen e ekspertimit daktiloskopik të gjurmëve të mundshme në armën e gjahut të sekuestruar në vendin e ngjarjes.
4. Vendimi Ekspertimit Tekniko-Kimik për përcaktimin e prezencës së faktorëve plotësues të qitjes në rrobat e viktimës.
5. Vendimi ekspertimit Daktiloskopik vlerësues të bidonëve me mbishkrimin “Coca Cola” dhe “Bureto” të gjetura afër trupit të viktimës në vendin e ngjarjes.
6. Vendim ekspertimi tekniko-kimik për masën e dheut të sekuestruar në automjetin e viktimës krahasuar me mostra të marra nga sipërfaqja e tokës afër viktimës.
7. Vendim ekspertimi teknik për pjesët e stukos dhe bojës së makinës të gjetura në vendin e ngjarjes dhe tek veshi i viktimës gjatë këqyrjes së kufomës, duke marre modele krahasimi nga automjeti i viktimës.
8. Vendim ekspertimi teknik të copave të xhamit të gjetura në vendin e ngjarjes me ato të marra nga makina.
9. Vendim ekspertimi Biologjik për fijet e flokut të marra nga koka e viktimës, me qimen e gjetur në bluzën e viktimës si dhe me qimet e marra qenit të gjahut të viktimës.
10. Vendimi Ekspertimit Tekniko-Balistik të fishekëve të gjetura në çantat në dhomën Nr.107 në Hotel “Akademia”, ku ka fjetur viktima me datën 11.09.2008.
11. Vendim ekspertimi tekniko-balistik të saçmave të nxjerra nga shpendët e vrarë në gjueti nga viktima dhe krahasimi me saçmat e fishekëve të sekuestruar.
12. Vendim ekspertimi Toksikologjik te lëngjeve të gjetura në bidonët me mbishkrimet “Coca Cola” dhe “Bureto”.
13. Vendim ekspertimi toksikologjik të organeve të marra viktimës gjatë këqyrjes së kufomës. Ky akt ekspertimi do të kryhet nga Instituti i Mjekësisë Ligjore Tiranë.
14. Vendim ekspertimi toksikologjik të gjakut të marrë viktimës gjatë këqyrjes së kufomës për të përcaktuar grupin e gjakut dhe krahasuar me masën e gjakut të marrë pranë kufomës në vendin e ngjarjes. Ky akt ekspertimi do të kryhet nga Instituti i Mjekësisë Ligjore Tiranë.
Policia:
Nuk kemi pyetur njerëzit që thërritën Trebickën
TIRANË- Hetimet e “Shekullit” kanë treguar se mbrëmjen e 11 shtatorit, Kosta Trebicka pritej të mbërrinte në Leskovik ku ishte planifikuar një takim me dy ortakë të mundshëm biznesi gurësh dekorativë në këtë qytezë. Ata janë Eduart Culami dhe Artur Shehu të njohurit e Kosta Trebickës në Leskovik. Ata kanë komunikuar me të në telefon por refuzojnë të tregojnë se çfarë u ka treguar ai. Në lidhje me këtë çështje “Shekulli” ka kontaktuar me policinë e Korçës ku ka pyetur nëse këta persona njihen apo jo nga uniformat blu. Krerët e policisë së Korçës pohuan pasditen e djeshme se nuk i njohin këta persona që kanë folur në telefon me Kosta Trebickën. “Çështjen nuk e kemi më ne në dorë por prokuroria. Në këto kushte ne nuk bëjmë më veprime kryesisht por veprojmë në bashkëpunim me prokurorinë dhe bëjmë çfarë na thonë ata. Në rastin konkret ne nuk i kemi marrë në pyetje këta persona në qytetin e Leskovikut. Nëse do të na kërkojë prokuroria, atëherë patjetër që do e bëjmë një gjë të tillë”,- thanë dje krerët e policisë së Korçës. Sipas tyre, tashmë të gjitha hetimet janë në dorë të prokurorisë dhe policia vetëm zbaton urdhrat.