E Hënë, 2 Nëntor 2026

Trafiku i armëve, pranga pesë personave

Operacioni i nisur nga krimet e rënda ka zbuluar linjën e trafikut që niste nga Kosova e përfundonte në Fushë Krujë

TIRANË- “Alberta” çon në qeli pesë persona të dyshuar si trafikantë armësh. Drejtoria e Luftës Kundër krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, organizuan dy ditë më parë një operacion i cili u finalizua me arrestimin e pesë personave të akuzuar për “Trafikim të armëve dhe municioneve luftarake e kryer në bashkëpunim”. Musatafa Gashi, 46-vjeç, lindur e banues në Fushë-Krujë, Edmond Kajo, 40-vjeç, lindur e banues në Berat, Marjus Buda, 26-vjeç, lindur në Fier dhe banues në Tiranë, Florenc Mezini, 31-vjeç, lindur e banues në Berat dhe Nertil Fejzullau, 25-vjeç, lindur në Gramsh, dhe banues në Tiranë, janë pesë të arrestuarit e operacionit të koduar “Alberta”. Burime zyrtare nga policia e shtetit thanë se të arrestuarit dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kryenin trafik armësh. “Nga hetimet paraprake, dyshohet se personat e mësipërm në kohë dhe vende të ndryshme në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kryer trafik armësh. Arrestimi i tyre u krye në flagrancë, gjatë kohës që po shkëmbenin armë dhe municione”,- thuhej në deklaratën për shtyp lëshuar ditën e djeshme nga policia e Shtetit. Burimet policore thanë se kanë nisur hetimet për të zbuluar nëse trafikantët synonin tregun vendas apo jashtë saj. Por paraprakisht policia bëri të ditur se të arrestuarit dyshohet se kanë shitur armë në kryeqytet, klientët e së cilës paguanin një shumë të konsiderueshme. Ndërkohë, në cilësinë e provës materiale policia u sekuestroi pesë personave, 15 armë zjarri, pistoleta minibloë e Zastava, 120 copë fishekë, 7 aparate telefoni celularë, si dhe dy automjete. Grupi hetimor i formuar për këtë çështje po vazhdon puna për të identifikuar personat e tjerë të implikuar në këtë trafik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›