“Makina u përmbys në kanal dhe mbi ta u derdhën plumbat”, arratisja e dështuar e Ylli Tabakut! Tri herë i dënuar nga regjimi komunist
Ylli Ramazan Tabaku u përndoq një jetë të tërë nga diktatura komuniste, duke provuar arrestimet, internimin, tentativat për arratisje, dënimet e përsëritura dhe vuajtjet fizike.

Tabaku u dënua tri herë nga regjimi komunist dhe vuajti gjithsej 26 vjet, 8 muaj e 24 ditë burgim, duke kaluar një pjesë të madhe të jetës në institucione të vuajtjes së dënimit dhe reparte pune të detyruar. Për vite me radhë, ai u dërgua nga një kamp në tjetrin, nga Vlora në Tiranë, nga Rubiku në Elbasan, nga Burreli në Spaç e Ballsh, duke punuar në ndërtimin e veprave industriale të kohës. Por historia e tij nuk nisi në qelitë e burgut. Ajo nisi me përndjekjen e familjes, vazhdoi me internimin dhe mori një kthesë dramatike kur, ende adoleshent, vendosi të largohej nga vendi ku mbahej i internuar.
NJË FAMILJE E PËRNDJEKUR NGA REGJIMI
Ylli Ramazan Tabaku lindi në vitin 1942. Familja e tij u zhvendos nga Durrësi në Tiranë në vitin 1951. Pesë vjet më vonë, në vitin 1956, familja u internua në Savër të Lushnjës, pasi motra e tij ishte arratisur. Familja Tabaku ishte tashmë e goditur nga represioni politik. Babai dhe dy vëllezërit e Yllit kishin vuajtur dënime politike, ndërsa pjesa tjetër e familjes përjetonte pasojat e internimit. Savra, pranë Lushnjës, ishte një prej zonave ku regjimi vendoste familjet e internuara, duke ua kufizuar lirinë e lëvizjes dhe duke i mbajtur nën kontrollin e vazhdueshëm të autoriteteve. Për një të ri si Ylli, perspektiva e jetës ishte e lidhur me një realitet ku liria personale dhe mundësia për të zgjedhur të ardhmen ishin tepër të kufizuara. Në këto rrethana, ai vendosi të arratisej.
ARRESTIMI I PARË
Më 9 dhjetor 1960, Ylli Tabaku u nis nga vendi ku ishte internuar, me synimin për të kaluar kufirin dhe për t’u larguar drejt Greqisë, të cilën dokumentet e kohës e cilësonin me terminologjinë politike të regjimit si “Greqia monarko-fashiste”. Ai ishte vetëm 18 vjeç. Për udhëtimin kishte marrë me vete gjashtë kilogramë bukë, pesë pako gjalpë, dhjetë paketa cigare dhe pesë pako shkrepëse. Por tentativa nuk zgjati shumë. Më 10 dhjetor 1960, kur ndodhej në zonën e Gjyshajt, në Lushnjë, një fshatar e dyshoi dhe e ndaloi. Mungesa e tij nga vendi i internimit ishte vënë re dhe autoritetet kishin nisur kërkimet. Gjykata Ushtarake e Gjirokastrës, me veprim në Lushnjë, e shqyrtoi çështjen dhe, me vendimin nr. 18, datë 24 mars 1961, e deklaroi fajtor për akuzën e lidhur me tentativën e arratisjes. Tabaku u dënua me 18 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për tre vjet. Vendimi u la në fuqi nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me vendimin nr. 44, datë 17 qershor 1961. Tabaku kaloi në disa prej reparteve më të njohura të burgimit dhe punës së detyruar në Shqipëri. Fillimisht vuajti dënimin në Repartin nr. 319 në Vlorë. Më pas u dërgua në Repartin nr. 303 në Tiranë, ku punoi në ndërtimin e Kombinatit të Mishit, të Bllokut “Puna” dhe të Uzinës “Traktori”. Më tej, ai u transferua në Vlorë për punimet në Uzinën e Sodës Kaustike, në Rubik për ndërtimin e Uzinës së Bakrit dhe në Elbasan për punimet në Fabrikën e Çimentos. Në një periudhë tjetër, kaloi edhe në Repartin nr. 323 në Fushë-Krujë, ku punohej për ndërtimin e një fabrike çimentoje. Lista e vendeve ku vuajti dënimin përfshin gjithashtu Burrelin, Skrofotinën, Spaçin dhe Ballshin. Në këto burgje e kampe, ai kaloi periudha të ndryshme të jetës së tij, larg familjes dhe pa mundësinë për të vendosur vetë për fatin e tij.
TENTATIVA E DYTË PËR ARRATISJE
Pavarësisht dënimit të gjatë dhe kushteve të vështira të burgimit, Ylli Tabaku nuk hoqi dorë nga përpjekja për t’u çliruar nga izolimi. Gjatë kohës që vuante dënimin në Fushë-Krujë, ai tentoi të arratisej së bashku me të dënuarin tjetër, Maksut Xhumaka. Përpjekja ishte e rrezikshme. Sipas të dhënave të dokumentuara, të dy përdorën një makinë për të shpërthyer derën e kampit. Por automjeti nuk mundi të vazhdonte për shumë gjatë, ai u përmbys dhe përfundoi në kanal. Arratisja dështoi. Pas kësaj, mbi ta u derdhën breshëri plumbash nga forcat e sigurisë. Të dy arritën të mbijetonin, por përpjekja për t’u larguar nga vendi i vuajtjes së dënimit solli një tjetër proces penal për Tabakun. Gjykata e Rrethit të Krujës, me vendimin nr. 10, datë 31 janar 1967, e deklaroi fajtor për arratisjen nga vendi i vuajtjes së dënimit, sipas nenit 229/1 të Kodit Penal të kohës, dhe e dënoi me tre vjet heqje lirie. Në bashkimin e dënimeve, gjykata caktoi 12 vjet heqje lirie. Ky vendim përbën dënimin e dytë të dokumentuar në historinë e tij gjyqësore. Një tentativë e dështuar për arratisje, që përfundoi me një aksident dhe me të shtëna armësh, u pasua kështu nga një tjetër ndëshkim penal. Për Tabakun, pasojat e kësaj përpjekjeje nuk u kufizuan te dënimi i ri. Ai vazhdoi të qëndronte në sistemin e burgjeve dhe të kampeve të punës, duke kaluar në institucione të ndryshme deri në fund të viteve 1970.
NË BURG I SËMURË
Një nga aspektet më të dhimbshme të historisë së Ylli Tabakut ishte gjendja e tij shëndetësore. Ai vuante nga diabeti dhe kishte nevojë për trajtim me insulinë. Sëmundja kërkonte kujdes të vazhdueshëm mjekësor dhe e bënte veçanërisht të vështirë përballimin e kushteve të burgimit dhe të punës së detyruar. Sipas biografisë së publikuar, në fund të periudhës së parë të burgimit gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua ndjeshëm. Për këtë arsye, ai u mbajt për një kohë të gjatë në spitalin e burgut në Tiranë. Megjithatë, edhe në këto rrethana, nuk u lirua nga burgu para përfundimit të periudhës së vuajtjes së dënimit ndonëse vuante nga një sëmundje kronike dhe kishte nevojë për insulin. Më 27 janar 1979, Ylli Tabaku u lirua nga Reparti nr. 309 në Ballsh. Pas afro dy dekadash nga arrestimi i parë, ai mund të largohej nga burgu. Por liria e tij nuk do të zgjaste përgjithmonë.
ARRESTIMI I TRETË
Pas lirimit, Tabaku u vendos në Baldushk. Megjithatë, jeta jashtë burgut nuk ishte fundi i përndjekjes. Më 8 tetor 1980, ai u arrestua sërish. Këtë herë, akuza ishte ajo e agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit popullor, e parashikuar nga neni 55/1 i Kodit Penal të kohës. Neni 55 ishte një nga dispozitat e përdorura nga regjimi komunist për të ndëshkuar veprimtari dhe shprehje të konsideruara armiqësore ndaj pushtetit. Gjykata e Rrethit të Tiranës e shqyrtoi çështjen me dyer të mbyllura. Me vendimin nr. 92, datë 9 mars 1981, Tabaku u deklarua fajtor dhe u dënua me 10 vjet heqje lirie dhe pesë vjet internim pas përfundimit të burgimit. Ky ishte dënimi i tretë i tij. Në këtë mënyrë, pas më shumë se një periudhe të gjatë burgimi, ai u përball sërish me një vendim që parashikonte vite të tjera izolimi dhe kufizime të lirisë edhe pas daljes nga burgu. Gatë dënimit të tretë, Ylli Tabaku u dërgua fillimisht në Repartin nr. 309 në Ballsh. Më pas punoi në ndërtimin e një shtëpie pushimi në Durrës dhe u transferua në Repartin nr. 305 në Përparim. Periudha e fundit e burgimit e gjeti në Repartin nr. 325/1, ku të burgosurit punonin për ndërtimin e Kompleksit “Dinamo” në Tiranë. Tabaku u lirua më 15 maj 1989. Ky ishte fundi i burgimit të tretë dhe i një historie të gjatë përplasjesh me aparatin represiv të regjimit. Nga arrestimi i parë në dhjetor 1960 deri te lirimi i fundit në maj 1989, jeta e tij ishte ndërprerë vazhdimisht nga burgimi, transferimet dhe puna e detyruar.
EKSODI I KORRIKUT 1990
Në vitin 1990, Shqipëria po hynte në periudhën e fundit të regjimit komunist. Kriza e sistemit, kufizimet e gjata të lirive dhe dëshira për një jetë ndryshe shtynë mijëra qytetarë të kërkonin largimin nga vendi. Më 2 korrik 1990 nisi një nga eksodet më të njohura të shqiptarëve drejt ambasadave të huaja në Tiranë. Shumë prej atyre që hynë në ambasada kërkonin një rrugë për të emigruar dhe për të nisur jetën në një vend tjetër. Ylli Tabaku ishte ndër ata që emigruan në Gjermani në kuadër të eksodit të 2 korrikut. Pas dekadash burgimi dhe përndjekjeje, ai u largua nga Shqipëria dhe u vendos në Nussloch të Gjermanisë. Atje kaloi vitet e fundit të jetës. Tabaku vdiq më 25 mars 2021, larg vendit ku kishte lindur dhe ku kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës nën diktaturë.
/Gazeta Panorama