E Shtunë, 31 Tetor 2026

Makinat, taksat e reja vendosen sipas vjetërsisë

TIRANE-Procesi i rishikimit të një serë taksave nis sot me diskutimin e paketës fiskale qeveri-biznes. Sipas burimeve zyrtare, ministria e Ekonomisë dhe përfaqësues të dikastereve të tjera do të diskutojnë lidhur me hyrjen e taksës së re për automjetet, bazuar në një kriter tjetër, konkretisht atë të vjetërsisë nga data e prodhimit, duke eliminuar taksa të tjera, që janë paguar vazhdimisht deri më sot.

Së pari, propozohet që taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin të jetë 5 lekë/litri deri më 31.12.2011 e pas kësaj date rritet në 7 lekë/litri, për produktet e importuara dhe për ato të prodhuara në vend. Taksa vjetore e mjeteve të përdorura do të jetë sipas formulës: cilindrata në cm3 herë koeficienti fiks sipas vjetërsisë herë taksa fikse për llojin e karburantit, që është 25 lekë për naftën dhe 20 lekë për benzinën. Koeficienti fiks sipas vjetërsisë së mjetit është paraqitur në tabelën që riprodhohet në këtë faqe. Detyrimi për pagimin e taksës i takon pronarit të mjetit. E ardhura nga taksa, për çdo rast, mblidhet nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, drejtoritë rajonale, para kryerjes së kontrollit teknik vjetor të detyrueshëm të mjetit. Për mjetet që regjistrohen për herë të parë, taksa llogaritet proporcionalisht për periudhën e mbetur të vitit. 18% e të ardhurave vjetore nga kjo taksë i kalojnë buxhetit të qeverisjes vendore.

Sipas projektligjit, do të bëhet heqja e taksës së makinave të përdorura (në import dhe në shitje brenda vendit), taksës vjetore të qarkullimit dhe taksës së regjistrimit të përvitshëm të mjeteve. Në vend të tyre, do aplikohet taksa e re e qarkullimit, një taksë fikse për litër mbi gazoilin dhe benzinën duke filluar nga 1 janari 2012, në masën 7 lekë për litër. Taksa e karbonit, që është aktualisht mbi benzinën në masën 1.5 lekë/litri dhe gazoilin në masën 3 lek/litri, do të aplikohet edhe mbi disa kategori të reja nënproduktesh nafte, mbi vajgurin, solarin, mazutin dhe koks nafte. Taksa e mjeteve të përdorura hyn në fuqi vetëm për mjete më shumë se trevjeçare; vitin e katërt fillon me koeficient 0.18, duke u rritur me 0.01 për çdo vit përdorimi. Në bazë të të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të transportit Rrugor, autoveturat zënë rreth 70% të totalit të mjeteve dhe mbi 75% e autoveturave janë mbi 10 vjet të vjetra. Propozohet që mjetet e reja të përjashtohen nga pagesa e taksës vjetore pasi nuk sjellin ndotje mjedisore. Sipas statistikave, numri total i mjeteve të reja me 0 km, të regjistruara gjatë vitit 2010 në DPShTRr, është 3.354 automjete dhe 1.986 motomjete.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›