E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenca, Prokuroria e SHISH, kundër shkurtimeve

TIRANE-Presidenca, Prokuroria e Përgjithshme dhe Shërbimi Informativ Shtetëror  kundershtojne projektin e qeverisë për të shkurtuar në masën e parashikuar nga dikasteri i Financave fondet e tyre përkatëse buxhetore. Sipas anëtarit të Komisionit të Ekonomi-Financave Florjon Mima, gjatë mbledhjes së radhës së këtij komisioni parlamentar, dje u vendos që ankesat e institucioneve të pavarura të merren sot në shqyrtim, pasi, sipas rregullit, ata i drejtohen direkt komisionit, i cili mbulon çështjet e një institucioni të caktuar dhe më pas ky i fundit e kalon ankesën në komisionin ekonomik.

Gazeta Shqiptare publikon sot disa nga dikasteret qe jane kunder shkurtimeve ne buxhet. Institucioni i Presidentit të Republikës nuk është dakord me uljen e shpenzimeve, të parashikuara në projektligjin “korrigjues” që rishikon shpenzimet e buxhetit të shtetit. Në këtë buxhet, të miratuar në fund të vitit të kaluar, ishin parashikuar shpenzime totale në masën 168 milionë lekë, ku “pjesën e luanit” e përbënin shpenzimet korrente (paga, dieta, mirëmbajtje, shpenzime për udhëtime, etj) dhe 15 milionë lekë investime. Pa prekur shpenzimet kapitale, korrigjimi i Financave prek shpenzimet operative, të cilat kalojnë, nga 153 milionë, në 149 milionë lekë. Totali ulet me rreth 2.4 për qind nga fondi i planifikuar.

Organi i akuzës, gjithashtu, bën pjesë në institucionet, të cilat kanë kërkuar të mos preken fondet, e caktuara për shpenzime. Nga 1.76 miliardë lekë, këto shpenzime për Prokurorinë duhet të kalojë në 1.73 miliardë lekë, me një ulje rreth dy për qind. Nuk do të preket fondi i shpenzimeve kapitale, ndërkohë që shpenzimet operative ulen rreth 2.7 për qind.

Sipas te perditshmes Gazeta Shqiptare, edhe Shërbimi i Inteligjencës ka pasur rritje buxhetore, krahasuar me një vit më parë. Në rast se miratohen shkurtimet e propozuara, rritja arrin në 4.4 për qind. Sipas variantit të propozuar nga qeveria, shpenzimet në total për SHISH-in shkojnë, nga 1.322 miliardë, në 1.302 miliardë lekë, me një ulje prej 1.5 përqindësh nga buxheti fillestar. Drejtoresha e Buxhetit në ministrinë e Financave, Mimoza Dhëmbi, ka sqaruar dje se i vetmi institucion që do të shpëtojë nga shkurtimet, madje buxheti i të cilit do të ketë rritje gati dyfish, është Instituti i Studimeve të Krimeve të Komunizmit, i cili figuron në buxhet duke filluar nga ky vit.

Komisioni i Ekonomisë merr sot vendimin për buxhetin.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›