E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: Marrëveshja financiare me SHBA, strategjike për modernizimin e Forcave të Armatosura

TIRANË, 28 korrik /ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj, e cilësoi marrëveshjen financiare mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës si një marrëveshje strategjike që forcon bashkëpunimin dypalësh në fushën e mbrojtjes dhe mbështet modernizimin e Forcave të Armatosura.

Në një deklaratë për mediet, Malaj tha se marrëveshja vjen në kuadër të mbështetjes së Forcave të Armatosura shqiptare dhe shënon një hap të rëndësishëm në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes.

“Është një marrëveshje strategjike sa i takon marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për herë të parë në industrinë e mbrojtjes po përfitojmë një mbështetje me financim të huaj për një projekt të kësaj natyre”, u shpreh Malaj.

Sipas ministrit, në kuadër të kësaj marrëveshjeje Shqipëria do të përfitojë një financim prej 302 milionë eurosh.

Malaj bëri të ditur se, me kërkesë të palës amerikane, kushtet e marrëveshjes do të mbeten konfidenciale.

“Na është kërkuar nga Shtetet e Bashkuara që të ruhet konfidencialiteti i kushteve të marrëveshjes. Megjithatë, mund të them se termat financiarë të ofruar janë shumë konkurrues për një kredi të kësaj natyre”, deklaroi ministri i Financave.

Ai theksoi se marrëveshja përfaqëson një instrument të rëndësishëm për financimin e investimeve në sektorin e mbrojtjes, duke forcuar më tej partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-së.

/e.xh/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›