E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: Me paqen fiskale, nuk ka asnjë amnisti penale!

Ministri i Financave, Petrit Malaj, duke prezantuar në Kuvend projekbuxhetin së bashku me projektligjin e “Paqes Fiskale”, u shpreh se kjo nismë nuk përbën amnisti dhe nuk ofron imunitet për personat që janë nën hetim apo ndaj të cilëve ka vendime gjyqësore.

Ai theksoi se paqja fiskale synon korrigjimin e pasqyrave financiare dhe lehtësimin e barrës tatimore për bizneset, pa falur përgjegjësi penale.

Qëllimi i saj është korrigjimi i pasqyrave financiare, lehtësimi i barrës tatimore për bizneset, si dhe mbështetja e fermerëve dhe familjeve shqiptare.

Ministri sqaroi se borxhet tatimore më të vjetra se 10 vite do të fshihen, ndërsa për detyrimet mes 5–10 viteve, bizneset do të lirohen nga pagesat e së shkuarës vetëm nëse shlyejnë vitet e fundit.

“Ky është shansi i fundit që ju japim debitorëve, përpara se të hyjnë në fuqi masat shtrënguese për vjeljen e detyrimeve tatimore”, deklaroi Malaj, duke paralajmëruar se administrata tatimore do të forcojë masat e mbledhjes së detyrimeve, përfshirë bllokimin e llogarive bankare, konfiskimin dhe shitjen e aseteve.

 “Ne nuk po ndërmarrim një Amnisti. Nëpërmjet “Paqes Fiskale’’, nuk falim përgjegjësi penale. Nuk garantojmë imunitet për askënd dhe mbi të gjitha nuk i shërbejmë askujt që është nën hetim apo në procese gjyqësore.  Ne synojmë të zbatojmë disa masa të domosdoshme, të ngjashme me praktikat e mëparshme dhe që përputhen me standardet për një menaxhim më të mirë tatimor. Gjithashtu me projektligjin e faljes së detyrimeve tatimore dhe doganore mbyllim kapitullin e borxheve të vjetra të parashkruara. Administrata Tatimore, nga ana tjetër, po vijon punën për të forcuar masat e mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore, duke zbatuar masa që shkojnë deri në bllokime të llogarive bankare, konfiskime dhe shitje të aseteve, për të mbuluar detyrimet tatimore.

Në vijim ai shtoi se, në buxhetin e vitit 2026 parashikohet që 15 milionë euro të mbeten në duart e fermerëve, ndërsa në vitin 2027 kjo shifër do të dyfishohet në 30 milionë euro. Fermerët do të kompensohen me 10% të vlerës së mallit.

 “Fermeri do kompensohet me 10 përqind të vlerës së mallit”, theksoi ministri, duke e cilësuar këtë si një mbështetje të drejtpërdrejtë për sektorin bujqësor.

Një tjetër element i rëndësishëm i projektligjit është mbështetja për familjet me fëmijë nën 18 vjeç. Duke filluar nga viti 2026, përmes Deklaratës Individuale të të Ardhurave (DIVA), çdo familje do të ketë të drejtën të zbresë 48.000 lekë për çdo fëmijë nga deklarata vjetore.

“Sipas llogaritjeve paraprake, efekti financiar i kësaj nisme do të jetë 1.5 miliardë lekë ose 15 milionë euro më shumë në buxhetin e familjeve shqiptare”, tha Malaj, duke e cilësuar këtë si një lehtësim të ndjeshëm të barrës tatimore.

Ministri theksoi se paqja fiskale është një marrëveshje vullnetare, e cila synon të mbyllë kapitullin e borxheve të vjetra dhe të krijojë një kulturë të re tatimore.

 “Marrëveshja e Paqes Fiskale nuk diskriminon askënd, është një marrëveshje vullnetare për të gjithë tatimpaguesit që duan të korrigjojnë pasqyrat financiare”, tha ai, duke e cilësuar këtë si një hap drejt menaxhimit më të mirë të sistemit fiskal.

Më tej, ministri Malaj njoftoi se duke filluar nga viti 2026 do të hyjnë në fuqi lehtësitë e parashikuara në ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat, të cilat do të aplikohen përmes Deklaratës Individuale të të Ardhurave (DIVA). Këto masa synojnë të mbështesin familjet me fëmijë nën moshën 18 vjeç, duke u dhënë mundësinë të përfitojnë zbritje tatimore.

“Çdo familje që ka në ngarkim fëmijë nën 18 vjeç do të ketë të drejtën të zbresë 48.000 lekë për çdo fëmijë nga deklarata vjetore e të ardhurave. Kjo ul ndjeshëm normën efektive të tatimit që paguhet, pra raportin mes tatimit dhe të ardhurave bruto”, shpjegoi Malaj.

Sipas tij, efekti financiar i kësaj nisme pritet të jetë i konsiderueshëm: rreth 1.5 miliardë lekë, ose 15 milionë euro, që do të mbeten në buxhetin e familjeve shqiptare.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›