Pagesë me kartë në çdo biznes – Organizohet forumi i pagesave digjitale, edhe media rol në kuptimin e procesit

Çdo biznes në vend së shpejti do të jetë i detyruar të ketë të paktën një terminal POS për t’i ofruar klientëve pagesa me kartë.
Kjo u bë e ditur gjatë Forumit Connect të Pagesave Digjitale, organizuar në kuadër të Javës Globale të Sipërmarrjes.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se është përgatitur një plan konkret për reduktimin e përdorimit të cash-it.
“Dhe brenda vitit 2026, në mënyrë të shkallëzuar, ne do të kemi të gjithë tregtarët që do të jenë të detyruar të kenë të paktën një mjet elektronik të pagesave”, tha Ministrja Ibrahimaj.
Në fjalën e mbajtur, bashkëthemeluesi i Connect Albania, Ennio Civici, theksoi se Shqipëria po hyn në një kapitull të ri të transformimit digjital.
“Ka një rritje të pagesave digjitale, ka një zgjerim të tregtisë online, ka investime teknologjie dhe nisma të institucioneve publike dhe private financiare, të cilët po ndërtojnë dhe po mundohen të arrijnë atë që quhet Albania Cashless 2030”, tha bashkëthemeluesi Civici.
Drejtoresha e RTSH-së, Eni Vasili, theksoi se media, veçanërisht ajo publike, ka një rol kyç në ndihmën për të kuptuar termat digjitalë të pagesave nga publiku.
“Radio Televizioni Shqiptar si një media kombëtare është, patjetër, një institucion formues, edukues, përveç të gjitha detyrimeve të tjera që ka. Është një dritare e madhe publike që duhet të japë qartësi në një botë të ndërlikuar dhe shumë të shpejtë, dhe transformimi digjital, pagesat elektronike, siguria kibernetike, edukimi financiar, të gjitha këto janë terma që kërkojnë një gjuhë sa më të kuptueshme, sa më pranë publikut, edhe një formim sa më të saktë dhe të vazhdueshëm”, tha Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH, Eni Vasili.
Ngjarja synon të shndërrohet në traditë duke mbledhur figura kryesore të politikës, biznesit, teknologjisë dhe akademisë. Sipas organizatorëve, forumi do të krijojë një hapësirë ku idetë dhe praktikat më të mira do të kontribuojnë në vizionin ekonomik të së ardhmes së vendit.
Gazetare: Bjolanda Cuku
/rtsh.al/