E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: Objektivi im mundja e Berishës, jo karrigia në Kuvend

TIRANË- Kandidati i Pavaruar në Qarkun e Vorës, Arben Malaj i ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në Neës 24, të drejtuar nga gazetarja Ola Bruko foli edhe njëherë për mospërfshirjen e tij në listat e PS dhe për vendimet që ndërmori më tej. Sipas tij, përjashtimi ka qënë gradual dhe jo një surprizë.

“Përjashtimi im nuk ka qenë surprizë ishte një përjashtim gradual. Në mënyrë graduale ka ndodhur, e kisha parashikuar këtë të papritur. Ka qenë një vendim i vështirë dhe i detyruar. Dëshiroj të falënderoj të gjitha strukturat e PS në qarkun e Vlorës dhe mund të them që unë nuk kam treguar padurim për të fituar një karrige të caktuar”, tha Malaj.

Sipas tij, “Politika është mision, njerëzit nuk duhet të humbasin mendimet ndryshe, deputetët duhet të bëjnë të mundur ndryshimin e partive dhe demokratizimin. Modeli i partive politike në vend është përkeqësuar”, tha ai.

Të jesh deputet për zotin Malaj, do të thotë të krijosh një model të qartë për përfaqësimin e qytetarëve, dhe jo një post komod. Sipas Malajt, vendi sot ka nevojë për rotacion.

“Vendin e deputetit nuk e shoh si vend komod për të marrë një rrogë të caktuar.
Por duhet të krijojmë një model ku gjithnjë e më tepër të jenë qytetarët ata që zgjedhin, model për qytetarin. Duhet krijuar shpresa dhe guximi, të guxojmë për të ndryshuar modelin. Unë mendoj që vendi ka nevojë për rotacion, vendi po shkon në një situatë të keqe ekonomike dhe sociale, duhen bërë reformat e duhura, qeveria duhet të jetë stabël dhe e suksesshme”, tha ai.

Kandidimin e tij si deputet të pavarur, Malaj e sheh si një mundësi për të realizuar rotacionin politik, ndërsa shton se objektiv për të mbetet mundja e Berishës dhe jo thjesht marrja e një karrigeje në Parlament.

“Rasti im nuk është i shkëputur, këtu shfaqet fenomeni se si lideri përdor atributet e tij. Nëse fatin tim do ta lija në dorën e një misionari, kjo do të ishte mungesë respekti ndaj atyre që më kanë besuar dhe votuar mua. Objektivi kryesor për mua është rotacioni politik dhe një qeveri stabël. Unë kam si qëllim mundjen e Berishës, ndërsa Koço a dikush tjetër të marrë një karrige në Kuvend. Jam për ballafaqim vlerash dhe jo për pazare”, tha Malaj më tej.

Malaj tha më tej se, “ish-kreu i PS-së Fatos Nano ka dhënë kontribut maksimal për demokratizimin e PS, Rama kërkon ta minojë. Rama vazhdon me objektivin si të mund socialistët brenda socialistëve dhe jo si të mundë Berishën”.

Kandidati i pavarur Malaj, shtoi më tej se është i bindur se do të fitojë një mandatin e tetë në Vlorë dhe se atë nuk do ta përdorë kundër socialistëve.

“Kam mbështetës qytetarë, jo vetëm partiakë. Votuesit nuk janë për mua statistika elektorale, unë kur i takoj e bëj me shpirt. Në Vlorë do jetë një rezultat me shpirt. Mandatin që do marr nga vlonjatët nuk e përdor kundër socialistëve. Mandatin e tyre nuk mund ta përdor në dëm të tyre. Jam optimist që rotacioni do ndodhë. Cdo shqiptar i mirë kërkon sot një rotacion politik. Kandidimi im duke marrë një mandat të 8 në Vlorë, i shërben fitores së qartë, votën do ta përdor me efikasitet. Unë mbetem ende opozitar, ndërsa kostot kur ka optimizëm bëhen më të vogla. PS ka nevojë të bashkëpunojë me të gjithë, unë synoj ta marr mandatin dhe ta përdor për qytetarët dhe pastaj për qeverisjen”, u shpreh ai.

Në lidhje me përfshirjen e 3 ish-deputetëve të PS-së Kastriot Islami, Asllan Dogjani dhe Gjovalin Kadilli në listat e PD, Malaj komentoi shkurt. “Përfshirjen e tyre e shoh me dhimbje, por nuk i gjykoj, as i mirëkuptoj”.

I pyetur për mbështetjen e ofruar nga Fatos Nano, Malaj u shpreh krenar që një njeri si ai ndodhet në krahun e tij.
“Mbështetja e zotit Nano erdhi pas kandidimit tim si deputet i pavarur. Është politikani që futi kulturën e dorëzimit paqësor të pushtetit, jam krenar që është në anën time”, shtoi ai.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›