E Hënë, 2 Nëntor 2026

Malaj: Po ristrukturojmë skemën e pensioneve, do të garantojë pensione më të larta

TIRANË, 14 nëntor /ATSH/ Ministri i Ekonomisë dhe Inovacionit (MEI), Petrit Malaj deklaroi sot se qeveria shqiptare është duke punuar për një ristrukturim të plotë të skemës së pensioneve, me synimin për ta bërë atë më të qëndrueshme dhe për të garantuar pensione më të larta për qytetarët.

Gjatë një konferencë për shtyp me shefen e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Anke Weber, dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko mbi analizën e ecurisë së ekonomisë dhe financave shqiptare, ministri theksoi se MEI do të paraqesë propozime konkrete për ndryshimet strukturore që do të ndërmerren.

“Qeveria shqiptare është duke ndërmarrë një ristrukturim të gjithë skemës së pensioneve në mënyrë që ta bëjë këtë skemë më fizibël e cila do të garantojë pensione më të larta për të gjithë pensionistët shqiptarë. Përgjatë vlerësimit që po i bëjmë gjithë skemës së pensioneve, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit do të vijë me propozime konkrete.

“Kemi menduar që të vijojmë me skemën e bonuseve, por jo bonuse, të ardhura mbi pensionet, le ta quajmë një të ardhur shtesë mbi pensionet aktuale, e cila do të paguhet mbi baza të përmuajshme dhe paralelisht me këtë do të shoqërohet dhe me ndryshimet strukturore që do t’i bëjmë skemës së pensioneve.

“Për sa i përket vlerës së paguar, e cila nuk shkon në linjë me të ardhurat që pensionistët marrin aktualisht, është menduar që e ardhura shtesë që u jepet pensionistëve, të jetë në linjë me kontributin që kanë pasur këto pensionistë gjatë viteve. Pra, ata që kanë kontribuar më shumë do të marrin një të ardhur shtesë më të lartë dhe ata që kanë pasur një kontribut më të ulët do të marrin një të ardhur më të ulët sesa grupi tjetër i pensionistëve”, tha Malaj.

I pyetur nëse Ministria ka marrë ndonjë kërkesë për zgjatje afatesh të koncesioneve në shëndetësi, të cilat përfundojnë në vitin 2026, Malaj tha se “në lidhje me koncesionet nuk kemi kërkesë nga ministritë e linjës që do të ketë zgjatje të koncesioneve ekzistuese”.

Nga ana tjetër, shefja e Misionit të FMN-së, Anke Weber, u pyet në lidhje me paqen fiskale. Sipas saj disa nga propozimet e përfshira në këtë paketë mund të minojnë arritjet e deritanishme në fushën e administrimit tatimor.

“Kemi parë draftin e fundit të paketës së propozuar për paqen fiskale. Vërejmë se qeveria ka bërë përparim të konsiderueshëm gjatë viteve të fundit në forcimin e administrimit të të ardhurave në përputhje me këshillat e FMN-së. Ne kemi frikë, që disa nga elementet e projektpropozimit mund të minojnë progresin e fundit të Shqipërisë në administrimin e tatimeve dhe të krijojnë disa risqe për përmbushjen dhe për drejtësinë”, tha Weber.

/m.q/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›