E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: Pse nuk mora pjesë në votim të rezolutës Rama

“Dje u cenua rëndë transparenca me publikun. Besoj shumë tek përgjegjësia e kolegëve socialistë që pavarësisht nga dy rezoluta të ndryshme, nuk do ta shndërronin atë takim ballafaqim të mbingarkuar, siç edhe nuk ndodhi realisht. Edhe në Statutin e Partisë rregulli i përgjithshëm i mbledhjeve është që ato zhvillohen të hapura, ndërsa zhvillimi i mbyllur i tyre është një përjashtim që kërkohet të votohet.Të diskutosh me dyer të mbyllura për vlerësimin e zgjedhjeve dhe për qëndrimet ndaj saj të kërkosh mbështetjen e publikut, duket se ka një kontraditë logjike jo të vogël” ishte kritika e z. Malaj ndaj zhvillimit me dyer të mbyllura të Asamblesë.

“Thelbësore është fakti që sfidat e Partisë Socialiste nuk arrihen pa një mbështetje publike në rritje, e cila nuk mund të vijë pa një transparencë në rritje. Kostot e mungesës së transparencës janë më të rënda se kostot e ndonjë diskutimi apo debate emocionale në një mbledhje partie.”

“Dhe më kryesorja”, vijon z. Malaj, “në një parti moderne demokratike votimi i rezolutave nis nga propozimi i grupit më të vogël, në këtë kontest duhej votuar rezoluta e kolegëve deputetë përpara rezolutës së kryetarit. Në kushtet kur edhe ky parim demokratik u shkel, rruga më e mirë që unë shpresoja se do të bënin të gjithë kolegët propozues të rezolutës alternative do të ishte mosmarrja pjesë në votim për rezolutën e Ramës. Kjo do të eleminonte çdo keqpërdorim numrash kundra apo pro rezolutës Rama, dhe nuk do t’u sillte kënaqësi servile disa kolegëve që vazhdojnë të jenë militantë emocionalë edhe në momente kur realisht PS është përpara sfidave shumë të mëdha.”

“Demokracia nuk është thjeshtë dhe vetëm një raport numrash, por vlerash, në një ambient vlerash demokratike numrat në minorancë mund të identifikojnë probleme të mëdha dhe në një ambient jo demokratik numrat në shumicë mund të fshehin probleme të mëdha” konkludon z. Malaj në fund të deklaratës së tij.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›