Malaj: Rishikim buxhetit pas miratimit të formulës së re të pensioneve

TIRANË, 5 nëntor/ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot se projektbuxheti i vitit 2025 nuk reflekton mbështetje buxhetore për skemën e re të pensioneve, e cila po diskutohet.
Në seancën e diskutimeve në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Malaj tha se nëse do të ketë një formulë përfundimtare për skemën e re të pensioneve do të ketë rishikim të buxhetit për të mbështetur atë.
“Projektbuxheti 2025 nuk adreson veprimet që po ndërmerr Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Financave dhe Bankën Botërore, në lidhje me skemën e pensioneve apo bonuset. Nëse do të ketë një formulë përfundimtare buxheti do të jetë subjekt rishikimi”, tha ai para deputetëve të Komisionit.
Malaj informoi se krahas rishikimit të skemës po zhvillohet edhe një aksion në tregun e punës për uljen e informalitetit, me fokus deklarimin real të pagave.
Ai theksoi se në fund të këtij viti bonusi që shpërndahet për pensionistët do të jetë më i lartë se vitet e shkuara.
Në projektbuxhet fondi për shpërndarjen e bonusit të fundvitit për pensionistët dhe shtresat e tjera në nevojë shkon në 3.7 miliardë lekë nga 3.2 miliardë lekë që është këtë vit. /j.p/