Malaj: Tre ligjet, jo të mjaftueshme për integrimin. Duhet plotësuar KQZ-ja
Tiranë- Në të njëjtën ditë kur pritet të mblidhet Parlamenti për të votuar tre ligjet e kërkuara nga BE-ja për integrimin evropian, kandidati i pavarur për deputet Arben Malaj, ka theksuar se miratimi i tyre nuk është i mjaftueshëm për integrimin, pa një KQZ të plotë. Duke theksuar se zgjedhjet dhe rezultati i tyre i pakontestueshëm janë shumë të rëndësishme në këtë fazë në të cilën gjendet vendi.
…zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë prioriteti numër një i vendit. Rezultati i qartë dhe i pakontestueshëm i zgjedhjeve do të siguronte një qeverisje kredibël për vendin dhe do të plotësonte parakushtin themelor për procesin e integrimit.
Miratimi i tre ligjeve në parlament është një hap shumë pozitiv në këtë drejtim, por jo i mjaftueshëm. Pa një KQZ të plotë dhe të paanshme, si dhe pa zgjedhje të lira dhe të ndershme, krizat thellohen përherë e më tepër dhe janë më afër, ndërsa largohemi dhe vështirësojmë përherë e më tepër aspiratat tona të integrimit drejt BE-së,- shprehet Malaj.
Nëpërmjet një deklarate për mediat, Malaj rikujton se edhe faktorët ndërkombëtare si Stefan Fyle dhe Jonathan Moore, janë shprehur për plotësimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe mbajtjen e një procesi zgjedhor me standarte.
Z. Stefan Fyle, Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, dhe Z. Jonathan Moore, Drejtori për Europën Jugore dhe Qëndrore në Departamentin e Shtetit, janë shprehur për prioritetin dhe rëndësinë jetike që ka riformatimi KQZ-së dhe standardet e zgjedhjeve për vendin tone.
Ne, nuk duhet të dështojmë në mënyrë të përsëritur. Politika është krijuar për të shërbyer dhe për të dhënë zgjidhje pozitive sfidave që ka vendi,-thekson ai.