Malaj: Zgjerim i bashkëpunimit me BERZH në energji, digjitalizim dhe strehim social

TIRANË, 8 shtator/ATSH/ Qeveria shqiptare synon zgjerimin e bashkëpunimit me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), me fokus në sektorë prioritarë si energjia, ujësjellësit dhe trajtimi i ujërave, dixhitalizimi dhe strehimi social.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se këto çështje u diskutuan në takimin me Grzegorz Zielinski, drejtor ekzekutiv i BERZH-it për Evropën Juglindore, dhe Hannes Takacs, drejtor i BERZH-it në Shqipëri.
“Diskutuam për vijimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë Shqiptare dhe BERZH, duke synuar ta zgjerojmë më tej këtë partneritet në sektorë prioritarë si energjia, ujësjellësi dhe trajtimi i ujërave, digjitalizimi dhe strehimi social”, u shpreh Malaj.
Ministri theksoi se BERZH është prej më shumë se tri dekadash një nga partnerët më të rëndësishëm financiarë të Shqipërisë.
“Sot BERZH-i është një nga partnerët më të rëndësishëm financiarë të Shqipërisë. Me një angazhim financiar prej 1,1 miliardë eurosh, BERZH renditet si kreditori i dytë më i madh në portofolin e borxhit të jashtëm”, tha Malaj.
Sipas tij, BERZH ka dhënë një mbështetje të rëndësishme për investimet strategjike që kanë transformuar vendin në sektorë si energjia, transporti dhe infrastruktura.
Malaj nënvizoi rëndësinë e vijimit të komunikimit me drejtuesit e lartë të BERZH-it për Shqipërinë dhe rajonin, me synim përcaktimin e objektivave të reja të bashkëpunimit.
“Ambicia është e qartë: të tërheqim më shumë financime, të realizojmë më shumë investime dhe ta kthejmë këtë partneritet në më shumë zhvillim dhe mirëqenie për një Shqipëri moderne”, u shpreh ministri.
/gj.m/r.e/