E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Mali i Zi/ Gjukanoviç shpall datën kur do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ka shpallur 11 qershorin si ditën kur do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare në vend.

Vendimi erdhi një ditë pasi Gjukanoviç, duke iu referuar Kushtetutës së vendit, nxori dekretin për shpërndarjen e përbërjes së deritashme të Kuvendit, pasi shumica parlamentare nuk arriti të formonte qeverinë e re, apo të riorganizonte qeverinë ekzistuese, e cila nuk a arriti t’i mbijetonte një mocioni mosbesimi gushtin e shkuar.

Të dyja vendimet e Gjukanoviçit u morën pak para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale të 19 marsit, ku vetë Gjukanovic është kandidat i Partisë Demokratike të Socialistëve.

Në garë për postin e presidentit janë edhe gjashtë kandidatë të tjerë, por favorit është Gjukanoviç, i cili  konsiderohet si arkitekt i pavarësisë së vendit nga Serbia.

Megjithatë ai është një figurë që është akuzuar edhe për korrupsion, lidhje me krimin e organizuar dhe sulme ndaj gazetarëve të pavarur, akuza të cilat presidenti në detyrë i ka hedhur poshtë.

Gazetare: Elda Pepa

/rtsh/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›