E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushi dhe Vangjush Dako paraqiten në SPAK

Kryetari i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi është paraqitur këtë të premte (17 mars) në SPAK. Pas pothuajse dy orë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, Bushi ka deklaruar shkurt para mediave se nuk ka asgjë serioze.

Ndërkohë avokati i Bushit ka thënë para mediave se kryebashkiaku është thirrur për një çështje që ka të bëjë me Inspektoratin Ndërtimor në varësi të institucionit që ai drejton, e cila ka vendosur gjoba për disa institucione në lidhje me çështje të ndryshme.

Ndaj kryebashkiakut socialist janë bërë 7 kallëzime në Prokurorinë e Posaçme, për 3 prej të cilave është regjistruar procedim penal. Ndërkohë që dy të tjera nuk janë pranuar dhe 2 i janë dërguar për shqyrtim prokurorive të rretheve gjyqësore.

Ndërkohë që një ditë më parë (16 mars) mësohet se në SPAK ka qenë për rreth 3 orë edhe ish-kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Prokuroria e Posaçme SPAK ka thirrur për të dëshmuar Dakon, për të dhënë shpjegime si person që ka dijeni mbi rrethanat e faktit. Dako rezulton i kallëzuar në SPAK nga disa banorë të një pallati për miratimin e një leje ndërtimi, për një pallat që u shemb nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Kujtojmë se po ditën e djeshme (16 mars) është arrestuar Kryebashkiaku i Bulqizës Lefter Alla, pasi ai së bashku me disa zyrtarë të tjerë ka favorizuar në tenderin për Ujësjellësin e Bulqizës firmën e një personi me të cilin kishte lidhje shoqërore.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›